Krijohet një tjetër parti e djathtë. Rudina Hajdari dhe Astrit Patozi janë themeluesit e partisë së fundit politike që do të regjistrohet në fillim të javës së ardhshme dhe do të mbajë emrin Bindja Demokratike. Deputetja Hajdari ka mbledhur grupin parlamentar të krijuar nga deputetët e rinj dhe është diskutuar mbi regjistrimin në zgjedhjet lokale. Pikërisht në këtë mbledhje u vendos edhe krijimi i Partisë Bindja Demokratike. Partia do të regjistrohet të martën në KQZ dhe Gjykatë. Vetëm pak ditë më parë, Astrit Patozi doli hapur në mbështetje të Rudina Hajdarit dhe mes tyre pati dhe një takim.
Pas lajmit se partia e themeluar nga Rudina Hajdari, ‘Bindja Demokratike’, pjesë e së cilës do të jetë edhe ish-deputeti demokrat, Astrit Patozi, si dhe të larguar të tjerë nga deputetët demokratë, mediat njoftojnë se në grupin themelues të saj, që mbledhjen e parë ka pasur debate dhe sherre.
Sherri ne mbledhjen e pare
Sipas Faxnews, në takimin që ka zhvilluar sot Hajdari me deputetët e tjerë, mësohet se ka pasur debate pasi një pjesë e tyre kërkuan që forca e re të mos futje në garën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, me arsyetimin, ‘se nuk janë gati për fushatë’
Por pavarësisht kësaj Hajdari ka këmbëngulur se në zgjedhje duhet të garojnë, pasi sipas saj demokratët ndihen të papërfaqësuar dhe kjo kërkohet edhe nga ndërkombëtarët. Më herët një tjetër media njoftoi, se ‘themelimi’ i kësaj force të re politike është diskutuar nga protagonistët Hajdari, Murizi dhe Patozi, edhe në zyrën e Edi Ramës në kryeministri, i cili u premtoi mbështetje të plotë në rrugën e nisur.
Të gjitha këto lëvizje janë bërë vetëm 2 ditë pasi Rudina Hajdari u zyrtarizua të enjten si kryetare e grupit të ri parlamentar të PD-së, edhe pse kryetari i Kuvendit shkeli hapur rregulloren.
Bomba e ‘KJ’/ Partia e re e ‘opozitës’ u themelua në zyrën e Edi Ramës
Deputetët që dolën kundër vendimit të opozitës dhe pranuan mandatet janë shumë afër krijimit të një partie të re politike.
Lajmi për këtë lëvizje që synon të asgjësojë opozitën reale ka dalë fillimisht nga mediat afër qeverisë, të cilat kanë publikuar dhe emrin dhe siglat që të mbajë kjo forcë e re politike.
Por roli i qeverisë në mbështetjen ndaj këtij grupimit të ri që pretendon se përfaqëson opozitën reale shkon përtej mbështetjes mediatike.
Burime të ‘Koha Jonë’, deklaruan se gjatë ditëve të fundit, janë zhvilluar takime mes Edi Ramës dhe deputetëve të rinj. Mësohet se pak para se të vendosej emri i partisë, që flitet se do të jetë ‘Bindja Demokratike’, kreu i qeverisë ka zhvilluar takime me këta deputetë në Kryeministri duke u dhënë dhe mbështetjen e tij.
Burimet e rezervuara tregojnë se kryeministri dhe përfaqësues të rëndësishëm të qeverisë dhe PS kanë zhvilluar takime me deputetët Rudina Hajdari, Myslim Murriz dhe ish-deputetin Astrit Patozi.
Takimet mes deputetëve, kushdo qofshin ata dhe kryeministrit nuk janë të ndaluara, por zhvillimi i tyre në mënyrë sekrete dhe sidomos në krizën aktuale politike, tregojnë se në këto biseda nuk flitet për dialog, por skenarë dhe skema të rrezikshme politike që në vend të zgjidhjes sjellin tensione të tjera politike.
Vendimi i Kuvendit për të lejuar krijimin e grupit parlamentar të deputetëve që cilësohen si renegatë, duke shkelur Rregulloren e Kuvendit, është pjesë e skemës së qeverisë për të faktorizuar opozitën false në Kuvend. Ndërkohë sot, mbështetja që qeveria po i jep këtij grupi deputetësh që nuk përfaqëson asgjë shkon edhe më tej. Kryeministri Edi Rama ka arritur në pikën që jo vetëm po shpik ‘opozitën e re’, por duket se edhe partinë e re e ka themeluar në zyrën e tij gjatë takimeve në mbrëmje më këta deputetë.
Ky mund të jetë ndër rastet ekstreme, kur partia në pushtet jo vetëm detyron opozitën reale të dalë nga sistemi, por merr përsipër dhe themelimin, financimin dhe zgjedhjen e drejtuesve të një partie të re opozitare!
Botuar në Koha Jonë