Analisti Kim Mehmeti ishte i ftuari i të premtes në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në SYRI TV.
Ai u pyet nga moderatorja Juli Krisafi për debatin e ndezur në Tiranë për krimet e kryera në Kosovë. Ai tha se kryeministrit Edi Rama i mungon ndjenja kombëtare.
“Nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, Tirana zyrtare nuk i është kundërvënë diplomacisë serbe. Tirana zyrtare i ka trajtuar shqiptarët jashtë kufijve si të marrë peng. Për ta e ka ngritur zërin vetëm kur ka dashur të mbulojë zullumet në mëmëdhe.
Këto mbledhjet e përbashkëta të qeverive kanë për qëllim të largojnë të vërtetën se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë nevojë për mbledhje të përbashkëta qeveritare, por për qeveri të përbashkët,” tha ai.
Mehmeti theksoi se Rama ka ngritur aktakuzë ndaj heroit që ka luftuar kundër serbëve.
“Piktori e ka nxitur këtë debat, por ai ka për qëllim të mbulojë të kaluarën kriminale të vëllait të vet, Vuçiçit. Ai i frikësohet të shkuarës së Vuçiçit më shumë se Vuçiç. Shqiptarët duhet të pyesin se çfarë e bën Ramën kaq të afërt me Vuçiçin që është rritur politikisht mbi kufomat shqiptare? Aq të sjellshëm, aq të mirë ndaj tij dhe aq arrogant ndaj shqiptarëve.
Piktori e di se nga kjo zhurmë përfiton vetëm Beogradi. Ai e di se është e turpshme që të ngrihet ky komision hetimor. Ai ka trashëguar genin e politikanëve që e kanë adhuruar Beogradin,” tha ai.
“Mos ky njeri ka në plan pas 25 prillit ta vazhdojë karrierën politike në Beograd, duke u marrë me projektet e tyre, me Minishengenin për shembull?” pyeti Mehmeti.
“Nga kjo fushatë nuk ka asnjë dëm kreu i PD. Ai madje duhet ta injorojë këtë. Por dëmin e pëson Kosova dhe ata që janë në Hagë,” tha Mehmeti.