Afro 1 milion veta kanë bërë një vaksinë eksperimentale të koronavirusit të prodhuar nga Grupi Farmaceutik Kombëtar i Kinës (“Sinopharm”) në kuadër të programit të përdorimit emergjent, njoftoi kjo kompani të mërkurën.
Kina shpalli në korrik programin e përdorimit emergjent, që deri tani përfshin tre vaksina kandidate, për punonjësit kryesorë dhe grupet e tjera të veçanta të njerëzve.
Dy vaksina kandidate të prodhuara nga dega e “Sinopharm”-it, Grupi Kombëtar i Bioteknologjisë i Kinës (CNBG), dhe një e tretë nga “Sinovac Biotech”, janë përdorur për programin e emergjencës.
Asnjë reagim negativ serioz nuk është raportuar nga ata që bënë vaksinat e përdorimit emergjent, tha “Sinopharm”-i në një artikull të publikuar në median shoqërore “WeChat”, duke cituar fjalët e kryetarit të kompanisë Liu Jingzhen në një intervistë kohët e fundit.
Kërkohen dy doza të vaksinave të “Sinopharm”-it, që përdorin një virus joaktiv që nuk mund të shumohet në qelizat njerëzore, për të shkaktuar reagim imuniteti, sipas të dhënave të regjistrimit të provave klinike.
Faza e 3-të e provave klinike të vaksinave eksperimentale po zhvillohet jashtë Kinës, me afro 60 000 veta, dhe mostrat e gjakut të mbi 40 000 pjesëmarrësve janë marrë 14 ditë pasi ata bënë dozën e dytë, citohet të ketë thënë Liu.
Ndër punonjësit e ndërtimit, diplomatët dhe studentët që shkuan jashtë vendit pas bërjes së vaksinës së “Sinopharm”-it, asnjë nuk është infektuar, vihet në dukje në artikull. (Xu Guang/Artan)