Nga Erion DASHO
STATUSI I FUNDJAVËS, 28.11.2020
3,000
Shpesh kur i referohemi raporteve, siç është raporti 1 mjek për 1 mijë banorë që i kanë ngelur Shqipërisë (vendi i fundit në Europë për sa i takon këtij parametri), anashkalojmë apo harrojmë numrat.
Sot në Shqipëri kanë ngelur më pak 3000 mjekë dhe ky tregues i vetëm mjafton për të futur në rreth vicioz të gjithë mënyrën se si ngrihet dhe funksionon sistemi shëndetësor.
Së pari, si arritëm në këtë pikë?
“Heronjtë” e sotëm (e vendosur në thonjëza jo sepse mjekët që po përballohen me COVID-in nuk janë heronj, por sepse këtë shprehje politika po e përdor vetëm për demagogji dhe për të mbuluar dështimet e veta) janë të keqpaguarit e djeshëm, të damkosurit si emblema korrupsioni (megjithëse nuk japin as tendera, as vendime dhe as koncesione), apo të përndjekurit nëpër prokurori e gjyqe!
Heronjtë e sotëm janë lënë të punojnë në spitale të lyer me bojëra elektorale, por pa pajisje dhe medikamente, janë urdhëruar të kthehen në shërbyes të koncesionarëve, janë kërcënuar me gjoba dhe penalitete për çdo gabim të recetës, apo janë ndjekur nga programet investigative dhe janë bërë gazi i botës për një 10 apo 20 mijë lekësh të vjetër që pacientë të stisur u kanë futur në xhep!
Dhe, si përfundim, kanë ikur…
Sot është e lehtë të kalosh dy vjet duke mësuar gjermanisht apo anglisht dhe Shqipëria ka një mjek më pak duke e thelluar edhe më tej hendekun.
Dhe pastaj vjen COVID-i…
Kupton se duke u goditur mjeku dhe infermieri, është rrënuar sistemi. Në fillimet e epidemisë, një ministri dhe komitet në panik vendosën t’u besojnë vetëm një grushti të vogël mjekësh në spitalet COVID-1 dhe 2 duke vendosur mbi shpatullat e tyre gjithë peshën e përballimit të epidemisë. Sikundër grekët e mitologjisë vendosën mbi shpatullat e 300 spartanëve barrën për të përballuar ushtrinë perse me 300 mijë ushtarë.
Dhe kurrizët e mjekëve të infektivit dhe senatoriumit janë thyer pak nga pak. Në fakt është çudi se si duruan deri tani! Shenjat e krisjes janë dhënë prej kohësh. Familje që nuk komunikojnë dot me pacientët, medikamente dhe pajisje që mungojnë, mjekë që punojnë 24 orë në ditë 7 ditë të javës dhe përsëri nuk ja dalin të ofrojnë shërbimin që nevojitet, vdekshmëri spitalore nga më të lartat, familje që refuzojnë të dërgojnë pacientët në spital, pacientë që vetësakrifikohen, e shumë probleme të tjera të ngjashme.
Nga ana e tyre qytetarët kanë mirëkuptuar dhe kanë falur. Madje edhe qytetarët të cilëve u kanë ndodhur fatkeqësi e gjëma janë të ndërgjegjshëm se faji nuk ka qënë i mjekëve “spartanë” të spitaleve COVID, por të mbretërve të koncesioneve të cilët e kthyen shëndetësinë në tokë të djegur. Mjekët dhe infermierët deri tani janë falur për gabimet dhe popullata vetëm i vlerëson dhe respekton maksimalisht për sakrificën që janë duke bërë!
Pas një viti, bota ka mësuar shumë rreth COVID-it. Në radhë të parë është kuptuar se COVID-i nuk është sfidë për “heronjtë”, por sfidë për sistemet!
Kur demagogët dhe manipulatorët e politikës qajnë me lot krokodili dhe krahasojnë akoma paturpësisht kaçamakun që kanë gatuar këto muaj me përgjigjet thellësisht profesionale të vendeve si Gjermania, Franca apo Anglia, pacientët dhe familjarët e tyre kanë plotësisht të drejtë te revoltohen! Me politikanët dhe jo me mjekët!!! Sepse në çdo vend europian, përjashto Shqipërinë e koncesioneve kanë nisur të funksionojnë sistemet shëndetësore. Diku më mirë dhe diku më keq, por dora e shtetit ndihet! Në Shqipëri shteti është dorëzuar!
Sot epidemia e COVID ka hyrë në fazën më të rrezikshme. Sharlatanët dhe amatorët që flasin për pik në nëntor apo dhjetor përsëri gabohen. Në mungesë të masave energjike dhe efektive dhe pa asnjë shans për të patur vaksinën në muajt që vijojnë, epideminë do ta kemi në këto nivele, në mos më keq, deri në fund të dimrit. Shqiptarët duhet të përgatiten për një dimër të vështirë.
Ndërkohë ministria dhe komiteti duhet ta kuptojnë se loja me 300 spartanët e COVID-it ka mbaruar!
Është koha e angazhimit dhe vendosjes në funksionim që gjithë asaj pjese të sistemit shëndetësor që nuk kanë arritur akoma ta shkatërrojnë. Sidomos e specialistëve të shëndetit publik (modelin e angazhimit të të cilëve e kanë të gatshëm tek epidemitë e kolerës dhe fruthit) dhe mjekëve të familjes (modelin e të cilëve ua kemi paraqitur dhe shpjeguar në detaje që në muajin prill).
Koha nuk pret!