Nga Red Varaku
Është e qartë që Edi Rama në këtë përvjetor të pavarësisë ndodhet në një pozitë shumë të sikletshme, pavarësisht patetizmit qesharak dhe hipokrizisë të veshur me retorikë kombëtare kuq e zi.
Kjo për shkak se ai është kapur dhe provuar publikisht si njeriu më antishqiptar, i cili u angazhua personalisht në tradhëtinë më të madhe, që i është bërë këtij kombi dhe gjakut të derdhur për Kosovën me mbështetjen që ai i dha projektit për ndarjen e Kosovës.
Ky njeri shkoi deri aty, sa e ktheu axhendën e politikës së jashtme shqiptare tërësisht në shërbim të axhendës së Beogradit për izolimin e Kosovës nëpërmjet projektit rus të Jugosllavisë së re.
Në këtë kuptim ky përvjetor i pavarësisë është përvjetori më i rëndë për kombin shqiptar, jo vetëm sepse për shkak të këtij kryeministri ai sot është më i ndarë dhe përçarë se kurrë, por edhe sepse interesat e tij janë sot në kufijtë e rrezikut .
Ky përvjetor e gjen atë të defaktorizuar dhe me valencën më të ulët në rajon, krejt të pafuqishëm për të kundërshtuar politikat antishqiptare dhe të kthyer krejtesisht në një shtet vasal të Beogradit.
Ai e gjen Kosovën në një krizë shumë të rëndë për shkak të “rilindjes” dhe rifaktorizimit të Serbisë si dhe riaktivizimit te “armiqve” historikë të kombit shqiptar dhe kjo falë “ndihmës” bujare të kryeministrit tonë, i cili i futi thikën pas shpine ëndrrës tonë kombëtare.
Ky përvjetor e gjen atë të shitur dhe të tradhëtuar nga vetë udhëheqësit shtetërorë të saj, të cilët u angazhuan hapur në një projekt rus për ndarjen e trojeve kombëtare të lara prej shekujsh me gjak.
Ky përvjetor e gjen të tradhëtuar gjakun dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare, sepse disa prej udhëheqësve të saj kryesorë sot po japin llogari pse mbrojtën vendin e tyre dhe luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ky përvjetor e gjen të rehabilituar armikun shekullor të kombit shqiptar Serbinë, e cila nga agresore dhe përgjegjëse kryesore për vuajtjet dhe gjakun e derdhur të popullit shqiptar, sot është kthyer në viktimë, e cila kërkon shpagim, pikërisht prej atyre mbi të cilët ajo ushtroi genocid të pastër.
Ky përvjetor e gjen atë me nje Sllobodan te ri përballë, që kërcënon me shkrirjen e konflikteve dhe rikthimin e gjakderdhjes në rajon, duke paralajmëruar një konflikt të ngjashëm me konfliktin në Nagorni Karabak.
Ndaj, ky përvjetor nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste. Në fakt këtë vit nuk kemi se çfarë të festojmë, përveç se nëse na duhet të festojmë anëtarësimin tonë në Jugosllavinë e re, pra rikthimin tonë në skllevër të Moskës dhe Beogradit.
Kjo ditë duhet të jetë një ditë e thellë reflektimi kombëtar, e cila duhet që të na zgjojë të gjithëve përballë rreziqeve të mëdha ku na ka sjellë tradhtia e një njeriu të vetëm, të cilin sot na e kanë vendosur mbi krye armiqtë e këtij kombi.
Nëse nuk e bëjmë tani, nesër do jetë shumë vonë.