Një tjetër paketë ndihme që kap vlerën 8 miliardë euro është miratuar këtë të hënë nga qeveria italiane në ndihmë të sektorëve të prekur nga pandemia e Covid-19. Pas një mbledhje të Këshillit të Ministrave që zgjati mbi një orë qeveria vendosi të alokojë një shumë të re në prag të festave.
Turizmi, sporti dhe sektori i real estate-s, si dhe artistët apo të punësuarit në aktivitete artistike, do të jenë të parët që do të përfitojnë nga kjo paketë ndihme. Ndërkaq 10 milionë euro janë akorduar gjithashtu për autobusët panoramikë dhe mjetet me sipërfaqe të hapura që kërkohen nga turistët.
350 milionë janë parashikuar ndërkaq për panairet dhe kongreset, si dhe 90 milionë për fondin e urgjencës për shfaqjet audiovizuale e kinematë.
Në paketë janë përfshirë gjithashtu ndihma edhe për Policinë si dhe ushtrinë. Çdo punonjës pritet të përfitojë në formë pagese nga 1 mijë euro. Dekreti i ri “Ristori Quater” pritet të publikohet nesër në Fletoren Zyrtare.
Sjellim në vëmendje që Italia lehtësoi masat kufizuese në 5 rajone, përfshirë edhe Lombardinë, që ishte zona më e nxehtë e shpërthimit të pandemisë në pranverë.