Nga Ardit Gjinali
Saga e hapjes së negociatave vijon….shkaku nuk është skepticizmi europian apo rrethanat e ndërlikuara globale , të tillat të deklaruara nga KryeKreu fjalëshumë, por punëmirë aspak gjatë një interviste në revistën “FORBES”. Revista “FORBES” duhet të ishte vitrina e prezantimit të Shqipërisë ballëlartë në arenën ndërkombëtare, por e njëjta është përdorur nga ngrehina e propagandës për të treguar Shqipërinë në versionin 3-D; tashmë version retorik, jo teknologjik i prezantuar nga makineria që tenton shpëlarjen e trurit të Shqiptarit halleshumë. Shqipëria e sotme është kokëulur përballë partnerëve dhe aleatëve ndërkombëtarë; flamuri i saj kombëtar nuk mund të valëvitet krenueshëm krah simboleve të vendeve mike-tashmë po përdoret gjithnjë dhe më pak në takime protokollare sepse vizitat e liderëve të vendeve anëtare të BE po rrallohen deri në kufijtë e mungesës totale të të tillave; pasaporta kombëtare ka një vlerë krenarie që ka mbetur në vendnumëro prej periudhës së liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë- pasaporta që mbetet peng i verifikimeve intensive në secilën pikë kufitare të vendeve anëtare të BE duke u rradhitur si qytetarë jo-europianë;ata bashkëqytetarët tanë që rendin në turravrapin e trishtueshëm në aeroportet tranzite gjatë udhëtimit të tyre për të arritur në kohë avionin e rradhës që i largon përfundimisht nga vendi i tyre; ata..bashkë-qytetarët tanë, të tillët që pavarësisht përkatësisë politike janë objekt i verifikimeve shteruese sepse gjatë këtyre 7 viteve dhe në vazhdim ata..qytetarët nuk kanë udhëtuar për qëllime turistike, por janë arratisur nga “sytë-këmbët” ;- aspak nga ndonjë armik i jashtëm apo pushtues; qytetari është larguar nga mundësitë dhe shanset ekstremisht të munguara- largimi prej një errësire shoqërore që shkakton KEQQEVERISJA.
KEQQEVERISJA është një aliazh që ndërthur paaftësinë, paturpësinë, pafytyrësinë politike, lëmshin e qëllimtë institucional, gënjeshtrën e vogël, mashtrimin e madh, vesin lokal, mëkatin politik kombëtar, rushfetin nën dorë, korrupsionin në letra, megalomaninë dhe delirin;-shumëçka negative e përmendur më lart që formojnë profilin cinik të zyrtarit shtetëror dhe profilin arrogant të pushtetarit politik që cënon lirinë, demokracinë, llogaridhënien dhe transparencën duke ngritur shtatin politik të autokracisë qeverisëse;-infeksion qeverisës që shndërrohet në virus kombëtar duke ngërthyer trupin institucional të Republikës.
PO! JO-ja e qartë për moshapjen e negociatave ka vetëm një emër;-KEQQEVERISJE. KEQQEVERISJE që do të thotë angazhime të munguara, kushte të papërmbushuara, regres i vazhdueshëm politik, ekomonik dhe institucional, luga bosh në një tepsi të zbrazur nga makutëria , korrupsioni, babëzia…..në tepsi ka mbetur vetëm ndryshku, i tilli që nuk pastrohet dot nga të tillët që tentojnë të tjetërsojnë fytyrën shtetëtore të Republikës. Shqipëria e së sotmes nuk ngjason me Shqipërinë e së djeshmes së afërt; – e tilla e së djeshmes së afërt realizoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, anëtarësoi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat, përmbushi kushtet për statusin e vendit kandidat, përtej problemeve kishte institucione që balanconin pushtetet dhe frenonin tendencat e atykëtushme autokratike;- së bashku, duhet të përpiqemi për Shqipërinë e së nesërmes ku përmbushja e 15 kushteve është misioni patriotikqë do ti kthente fytyrën institucionale Republikës dhe do të rendiste Shqipërinë në rradhën e vendeve normale me synimin më të lartë;- atë të Integrimit Europian.
25 Prilli është afati kohor aspak i vonë që do të ishte fillesa e një ndryshimi thelbësor; ndryshim që do të realizohet përmes një bashkimi të madh për ditë më të mira me një shpresë të re; një Shqipëri ndryshe që meriton të kthehet e rëndësishme sërish përmes një qeverisjeje normale dhe Kryeministri normal, gjithashtu. Koha për një bashkim të madh dhe një shpresë të re është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë….