Viti 2020 nisi me me disa ngjarje të rënda kriminale që mesa duket ishin “paralajmërim” se ky vit do të kishte vrasje, ekzekutime mafioze me snajper, brenda dhe jashtë vendit, e krime brenda familjes që do të “shkundnin” shoqërinë shqiptare.
Gjakmarrje, prishje pazare droge dhe krime brenda familjes. Këto janë ngjarjet kyresore të kronikës së zezë që nuk kursyen, biznesmenë, anëtarë të së njëjtës familje, të dënuar për drogë e vrasje dhe trafikantë.
1-Ekzekutohet në mes të Tropojës biznesmeni Guxim Gjuriqi, kushëri i Fatmir Haklaj, vrasja e parë pas 18 vitesh në qytet
-Guxim Gjuriqi, 47 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e 5 janarit 2020 brenda në qytetin e Bajram Currit. Ai njihej si një person i qetë dhe pa probleme. “Problemi” i tij i vetëm ishte lidhja familjare me Fatmir Haklajn, sepse ishte kushëri i tij.
47 vjeçari kishte në pronësi një lokal dhe një karburant në qytetin verior, ndërsa vrasja e tij riktheu pas 18 vitesh plumbat dhe krismat e armës në Tropojë. Guxim Gjuriqi u vra para lokalit të tij, nga persona ende të paidentifikuar dhe të pa kapur nga Policia.
2-Mallakastra tronditet në javën e parë të vitit, 16 vjeçarit me dy shokët vret nusen e xhaxhait dhe hedh në rezervuar
– Mallakastra do të tronditej natën e 5 janarit, kur Drita Saliaj në tentativë për t’u grabit nga nipi i burrit dhe dy shokë të tij, mbytet me litar dhe hidhet në rezervuarin e fshatit Gjerbës. Luis Saliaj (nip i burrit të viktimës) dhe dy shokët e tij Ervis Zotaj e Sindi Shehaj, kishin shkuar në mbrëmje në shtëpinë e 50 vjeçares për ta vjedhur por kishin hasur në rezistencën e saj.
Në këto kushte, ata e mbytën Drita Saliajn, i lidhën këmbë e duar me litar, dhe e hodhën në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër. Trupi i pajetë i 50 vjeçares u gjet nga polumbarët e RENEAS dhe tre autorët u arrestuan nga Policia.
3-Saga e vrasjeve kriminale rikthehet në Rrëshen, biznesmeni Kastriot Reçi ekzekutohet me snajper para lokalit të tij
-Biznesmeni i njohur mirditor Kastriot Reçi vritet nga një qitës profesionist në mes të Rrëshenit, para lokalit të tij. Tre vite pas vrasjes së të vëllait Gasper Reçi në Romë, një qitës profesionit qëllon për vdekje me një plumb Kastriot Reçin në mes të qytetit.
Vrasja e Reçit dyshohet se është pjesë e sagës së vrasjeve kriminale që kanë nisur në që në vitin 2016, kur u vra në mes të Rrëshenit Sajmir Jaku, drejtori i OSHEE për veriun. Seria e ketyre vrasjeve do të vazhdonte me ekzekutimin më pas të Gasper Reçit në Romë.
Po në 2017, disa muaj pas vrasjes së Reçit, vritet në Belgjikë Kreshnik Gjini, nip i Sajmir Jakut. Dy vite më pas, historia e gjakmarrjes rikthehet sërish në Rrëshen ku ekezutohet vëllai i Gasper Reçit, Kastrioti. Pavarësisht vazhdimësisë së këtyre vrasjeve, Policia nuk ka arritur të prangosë asnjë prej autorëve dhe të ndërpresë zinxhirin e ekzekutimeve që pothuajse ka shuar dy fise.
4-Përgjaket Mirdita, ish-burri del nga burgu dhe vret bashkëshorten e vëllain e saj, Esmeralda dhe Vledison Filopatin
-Një muaj nga ekzekutimi i Kastriot Reçit, një vrasje tjetër do të shokonte Mirditën dhe gjithë Shqipërinë. Fatmir Kolecaj del nga burg dhe shkon në shtëpinë e ish-gruas Esmeralda Filopati për të takuar tre vajzat që kishte nga martesa me të. Aty përballet me ish-kunatin Vledison Filopati, dhe në debat e sipër e ekzekuton.
E motra, e shokuar del me vrap për të vëllanë por bie në breshërinë e plumbave të ish-burrit Fatmir Kolecaj, dhe ndërron jetë në vend. Forcat Speciale nisen drejt veriut dhe pas kontrollesh intensive, dy ditë pas ngjarjes, e rrethojnë 47 vjeçarin dhe tentojnë ta bindin të dorëzohet.
Fatmir Kolecaj hap zjarr dhe plagos një efektiv të FNSH. Forcat Special i kundërpërgjigjen por nuk arrijnë ta ekzekutojnë. Teksa ora kalonte dhe perimetri i sigurisë ngushtohej, 47 vjeçari Fatmir Kolecaj vetëvritet brenda shtëpisë së tij, në Zejmen të Lezhës. Tre vajzat e ish-çiftit mbeten jetime.
5-Viktor dhe Besmir Haxhia, dy vëllezër bien pre e breshërisë së plumbave në Durrës dhe ndërrojnë jetë
-Viktor Dhe Besmir Haxhia, vëllezër nga Puka dhe me banim në Durrës, bien pre e breshërisë së plumbave në Shënavlash dhe humbin jetën. Ata dyshohet se kishin strehuar në shtëpi autorët e grabitjes së miliona eurove në barkun e një avioni në Rinas.
Autorët u zunë pritë dy vëllezërve në dalje të tregut të makinave në Shënavlash dhe shkrehën dy karikatorë kallashnikovi mbi Viktor dhe Besmir Haxhinë, duke i lënë të vdekur në vend. Policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar për vrasjen Talo Çelën dhe ka vënë shpërblim 10 mijë euro për kokën e tij.
6-Ekekutimet me armë rikthehen në Tiranë pas izolimit nga pandemia, Hekuran Billa vritet në mes të Komunës së Parisit
-Vrasja e Prel Markut në vitin 2006 nga Hekuran Billa nuk do të falej nga familjarët e 22 vjeçarit. 14 vite më vonë, i vëllai i Prel Markut, Viktor Marku dhe nipi i tij, fusin në kurth Hekuran Billën dhe e ekzekutojnë në mes të Komunës së Parisit.
I dënuar me burgim të përjetshëm nga autoritetet britanike, Hekuran Billa ekstradohet në Shqipëri dhe pas disa “manovrave” me drejtësinë, lirohet nga burgu. 40 vjeçari i shpëtoi drejtësisë por jo hasmit. Nipi i Viktor Markut fut në kurth përmes një vajze Hekuran Billën, ndërsa Viktori vet pret sapo hasmi ndalon makinën dhe e qëllon me breshëri duke e lënë të vdekur në vend.
7-Tirana shokohet nga vetëflijimi i nënës dhe dy vajzave, dëshmitaret e Jehovait kërkojnë të ringjallen
– Tirana do të shokohej mbrëmjen e 2 korrikut, kur zjarrfikësit do të nxirrnin pa ndjenja nga shtëpia e tyre në Kombinat Zhaneta dhe Blerta Josifin, nënë e bijë. E pajetë në apartament dhe gati e dekompozuar do të gjendej vajza tjetër e familjes, Anisa Josifi.
Nëna dhe dy vajzat, dëshmitare të Jehovait, kishin qëndruar me ditë pa ushqim dhe ujë, si e vetmja rrugë për t’u vetëflijuar e për t’u ringjallur, më pas. Anisa Josifi kishte ndërruar jetë 15 muaj më para se zjarrfikësit të futeshin në shtëpinë ne tyre, ndërsa nëna Zhaneta, afro një muaj para 2 korrikut 2020.
Blerta Josifi, e mbijetuara e vetme, u mbajt nën kujdes intensive në spital pasi jo vetëm ishte e paushqyer, por kishte humbur dhe vetëdijen.
8-5 orë negociata dhe kundërpërgjigje me armë, RENEA ekzekuton 71 vjeçarin Lefter Zhidru në Elbasan
-Forcat Speciale RENEA ekzekutuan pas 5 orësh tentativa për dorëzim dhe të shtënash me armë zjarri Lefter Zhidrun, 71 vjeçarin që terrorizoi Elbasanin dhe plagosi dy kalimtarë të rastësishëm. I moshuari ishte ngujuar në apartamentin e tij me gruan dhe vajzën 13 vjeçare, por pas negociatave pranoi t’i lironte.
Zhidru qëlloi fillimisht me breshëri kallashnikovi drejt kalimtarëve, nga ballkoni, ndërsa më pas hapi zjarr drejt një skuadre të Shqiponjave që shkoi për t’i bërë thirrje të dorëzohej. RENEA për disa orë provoi të negocionte dorëzimin e 71 vjeçarit, por ai bënte rezistencë duke qëlluar me armë.
Pasi e ekzekutuan, Forcat Speciale zbuluan në shtëpinë e tij municion luftarak dhe 5 kallëpe tritoli të lidhura me një bombul gazi, të cilat nëse do të shpërthenin mund të rrëzonin në tokë gjithë pallatin.
9-Prishja e pazareve të drogës dhe ekzekutimi jashtë vendit i “bosave” shqiptarë të drogës
– Adriatik Tresa, 45 vjeç, ishte shqiptari i parë që u ekzekutua në Ekuador dhe eleminimi i tij mori vëmendjen e të gjitha mediave, pasi shtoi frikën e nisjes së një serie vrasjesh kriminale për prishje të pazareve të drogës.
Tresa u ekzekutua në vilën e tij, në një nga rezidencat më luksoze të Ekuadorit, nga një grup i armatosur i veshur me uniforma të forcave speciale. Shkak i vrasjes dyshohet se ka qenë “pastrimi i territorit” mes bandave të drogës.
– Pak ditë pas vrasjes së Tresës, në Shqipëri do të mbërrinte shumë shpejt lajmi i një tjetër ekzekutimi mafioz. Ilir Zelka, 47 vjeç do të vritej “me bukë në gojë” në një nga restorantet e Sao Paulos. Vrasja e Zelkës në një nga qendrat më të populluara të Brazilit, u pa si hakmarrje pasi 47 vjeçari dyshohet se punonte atje për llogari të një grupi nga Fieri.
– Afro tre javë pas vrasjes mafioze të Ilir Zelkës në Brazil, një tjetër shqiptar do të ekzekutohej në Spanjë, pothuajse në të njëjtën mënyrë. Një person i maskuar iu afrua 42 vjeçarit Brandon Bregu teksa ai darkonte me partneren dhe e ekzekutoi me 5 plumba. Viktima ishte i njohur për policinë pasi kishte qenë i arrestuar për trafik droge dhe armësh.
10-Tirana përgjaket në Ditën e Rinisë, efektivi i Shqiponjave qëllon për vdekje 25 vjeçarin Klodian Rasha
Dita e Rinisë do të niste me një lajm tragjik që shkaktoi revoltë në të gjithë Shqipërinë dhe “hëngri kokën” e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Efektivi i Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj vëren në rrugën “Dritan Hoxha” një të ri që bënte lëvizje të dyshimta dhe i vihet në ndjkje. Pas 3 minutash, në sallën operative kërkohet ambulancë dhe përforcime.
Efektivi 25 vjeçar i Shqiponjave gjatë ndjekjes qëllon dy herë me armë zjarri në drejtim të Klodian Rashës, duke e lënë të vdekur në vend, pak metra larg derës së shtëpisë. Hajdaraj pretendonte se viktima kishte në dorë një send të fortë në dukje armë dhe i kishte thënë se do ta qëllonte, por kamerat e sigurisë vërtetuan se Klodian Rasha kishte vrapuar drejt shtëpisë dhe në asnjë moment nuk i kishte drejtuar “ndonjë send të fortë në dukje armë” policit.
Vrasja e 25 vjeçarit shkakroi protesta dhe revolta në Tiranë dhe pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen, ndërsa Tirana pothuajse për një javë ishte e të rinjve që marshonin në rrugë e sheshe me thirrjet “Drejtësi për Klodianin”. Newsbomb