Mediat greke kanë identifikuar shqiptarin e vrarë në Athinë. Ai është 54-vjeçari Edmond Llangozi. Të plagosur me armë zjarri mbetën dy djemtë e tij, Anxhelo dhe Mihal Llangozi.
Këto emra u janë përcjellë sot edhe policisë shqiptare ku i është kërkuar informacion lidhur me aktivitetin që ata mund të kenë pasur në territorin tonë. Autoritet greke kanë deklaruar se nëse nuk do të vraponin që të fshiheshin, numri i viktimave do të ishte më i lartë.
Fillimisht autori ka qëlluar në ajër, ndërsa më pas ka pasur në fokus familjen Llangozi. E plagosur mbeti edhe kamarierja e lokalit ku ndodheshin, Xhorxhina Kosa, gjithashtu shqiptare.
Autoritetet greke po hetojnë arsyet pse të gjithë anëtarët e familjes ishin në lokal, ndërsa dyshohet se mund të ketë pasur një konflikt verbal para vrasjes. Autori i krimit, i cili kishte mosmarrëveshje financiare me dy djemtë e plagosur rëndë të viktimës, të moshës 28 dhe 22 vjeç, shkoi për të kërkuar kthimin e parave, të cilat dyshohen se mund të kenë ardhur nga aktivitete të paligjshme. Të dy vëllezërit nuk pranuan t’i jepnin paratë, dhe për shkak të kësaj filloi grindja.
Në ato momente, babai i dy fëmijëve, duke parë që djemtë e tij po grindeshin, vrapoi për t’i ndihmuar. Menjëherë autori ka nxjerr armën dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim./Shqiptarja