Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave raportohet se ka arrestuar dy punonjës policie në Tropojë. Akuza ndaj tyre është “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Të arrestuarit janë nënkomisari F. Gj, specialist i Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Komisariatit të Policisë Tropojë si dhe inspektori B.Rr., specialist i Seksionit të Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban në Tropojë.
SHÇBA njofton se nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se në 27 janar në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit për Çështjet e Brendshme është paraqitur përfaqësuesi i një kompanie sigurimesh, i cili ka bërë kallëzim penal se në datë 16 janar 2021 është njoftuar nga një person se ka ndodhur aksident në rrugën Tropojë – Lekbibaj, ku janë përplasur dy mjete.
Shoferit, thotë më tej SHÇBA-ja, i është thënë nga punonjësit e policisë, se fajtor është mjeti i siguruar tek kjo kompani sigurimi. Por vijon më tej njoftimi, “pas materialit kallëzues u krye hetim administrativ për rrethanat e aksidentit dhe përcaktimin objektiv të fajtorit si dhe veprimet e punonjësve të policisë në raport me ngjarjen. Dyshohet se dy punonjësit e Policisë Rrugore kanë shpërdoruar detyrën e falsifikuan dokumentet” thotë SHÇBA.
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për dy punonjësit e policisë të cilët janë arrestuar.