BallinaKryesoreRaporti i FMN-së “rrëzon” Qeverinë shqiptare

Raporti i FMN-së “rrëzon” Qeverinë shqiptare

spot_img
spot_img

Nga Bujar Leskaj

Tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia e COVID-19 kanë sjellë pasoja të rënda për shoqërinë dhe ekonominë e Shqipërisë.

Por a janë menaxhuar në mënyrën e duhur këto pasoja? A janë ndërmarrë politika të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar, për të minimizuar efektet negative dhe rigjallëruar biznesin

Pa diskutim që përtej propagandave optimiste, kemi një risk të nënvlerësuar që ka shpënë drejt keqmenaxhimit të financave publike, rritjes së detyrimeve të prapambetura nga viti në vit dhe rritjes së borxhit në monedhë të huaj, situatë e cila mund të shoqërohet me pasoja të konsiderueshme për ekonominë në rast të zhvlerësimit të monedhës sonë

Jo vetëm kaq, por ekonomia informale ka hedhur rrënjë në sektorët kryesorë të ekonomisë, veçanërisht në ndërtim (një nga arsyet kryesore kjo që monedha jonë vijon të qëndrojë e fortë, ndonëse aktiviteti ekonomik i vendit nuk e justifikon këtë), duke u bërë një barrierë serioze dhe pothuajse e pakapërcyeshme për zhvillimin normal të vendit dhe integrimin në BE.

Disa nga konstatimet e raportit të FMN-së, publikuar në datën 30.11.2020 kanë “rrëzuar” vlerësimet dhe parashikimet e Qeverisë në lidhje me treguesit kryesorë të ecurisë ekonomike, duke na vendosur në këtë mënyrë një pikëpyetje të madhe lidhur me transparencën dhe besueshmërinë e kësaj të fundit.

Të ardhurat për vitin 2020 sipas FMN parashikohen në nivelin e 23,2% të PBB-së, ndërsa Qeveria ka parashikuar një nivel prej 25,8% të PBB-së. Qeveria parashikon arkëtime në nivelin e 28,5% të PBB për vitin 2021, kundrejt 26,9% nga ana e FMN-së. Si rrjedhojë, qeveria parashikon shpenzime në nivelin 35% të PBB-së, kundrejt 33% nga ana e FMN-së. Rënia ekonomike parashikohet nga -7.5% në -9.0% sipas vlerësimeve të FMN-s ndërsa Ministria e Financave parashikon një rënie më të “butë”, -6.1%. Gjithashtu dhe po të krahasojmë parashikimet e rritjes së të ardhurave të vendeve në rajon, rritja në vendin tonë sipas strukturave qeverisëse parashikohet në nivele konsiderueshëm më të larta. Ministria e Financave parashikon një rritje në rreth 2,5% të PBB të ardhurave në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020. Vendet e rajonit parashikojnë një rritje mesatare në rreth 1,8%, pra rreth 0,7% më të ulët se rritja e parashikuar për vendin tonë.

Pavarësisht situatës së vështirë në të cilën ndodhet vendi ynë, autoritetet nuk i kanë kufizuar shpenzimet jo-parësore, për të krijuar kështu hapësirën e duhur për shpenzime të mjaftueshme në kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë. Mosmarrja e masave në kohë apo keqmenaxhimi i riskut fiskal do të gjenerojë pasoja të rënda edhe në mbajtjen e një niveli likuiditeti të konsiderueshëm si rezervë.

Pyetja që natyrshëm lind është: Çfarë do të ndodhë nëse të ardhurat nuk realizohen në nivelet e parashikuara të Qeverisë? Cilat janë pasojat e pritshme për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare? Në të tilla kushte cilat do të jenë zgjedhjet dhe opsionet e mundshme?

Në një analizë të thjeshtë, do të ndeshemi me një ose të gjitha opsionet si në vijim:

Moskryerjen e plotë të paketës së rindërtimit, e cila do të sillte efekte të rënda shoqërore, duke e rënduar edhe më tej gjendjen ekonomike, sociale dhe psikologjike të gjithë të prekurve nga tërmeti i nëntorit 2019.?

Mospërballim i pasojave të pandemisë dhe shpenzimeve publike në lidhje me trajtimin, testimin dhe gjurmimin e kontakteve, duke mos siguruar kapërcimin dhe daljen nga kriza nëse kjo situatë vijon për një periudhë të konsiderueshme edhe gjatë vitit 2021.

Uljen e shpenzimeve të tjera kapitale, të rëndësishme për rritjen afatgjatë ekonomike, efekti i të cilave do të ndihet më së tepërmi në vitet në vazhdim.?

Rritjen e deficitit dhe borxhit, duke rritur gjithmonë e më së tepërmi detyrimet e prapambetura.

Varësinë gjithnjë e më të madhe nga ekonomia informale, si i vetmi burim të ardhurash, në kushtet kur eficenca dhe efektiviteti i qeverisjes së fondeve publike ka rënë ndjeshëm dhe është orientuar drejt PPP-ve dhe biznesit-klient të qeverisë.

Niveli i detyrimeve të prapambetura ka qenë dhe është një nga shqetësimet kryesore të FMN. Sipas të dhënave më të fundit, ato llogariten të jenë thuajse 30 miliardë lekë, thuajse në gjysmën e nivelit të vitit 2013, të cilat ishin afërsisht në vlerën 72,6 miliardë lekë ose 5,3% e PBB-së. Shlyerja e detyrimeve financiare të prapambetura ishte parashikuar të përfundonte brenda tri viteve të ardhshme atëherë, që përkonte me fundin e vitit 2016, duke pretenduar dhe mos-përsëritjen e këtij fenonemi në të ardhmen. Sipas Raportit të Auditimit të Buxhetit Faktik 2019 nga KLSH, vlera e detyrimeve të prapambetura vlerësohet edhe më e lartë, në nivelin e 53,3 miliardë lekë. Së fundmi Qeveria ka vendosur të rishikojë kontratën e skanimit të kontejnerëve në doganë.

Me ndryshimet e fundit synohet që pagesat që shteti i detyrohet kompanive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, INC për skanimin në doganë për muajit Shtator, Tetor, Nëntor, dhe një këst i prapambetur i 2020, do të shlyhen në vitin 2022. Janë gati 3.3 milionë euro që u faturuan për vitet e ardhshme.

Një vlerësim larg treguesve të analizuar dhe realisht emergjent mbetet dhe parashikimi i uljes së nivelit të borxhit publik. Niveli i borxhit i parashikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për vitin 2020 është 80,9% e PBB, ndërkohë nga FMN është 81,9% e PBB. Sipas raportit të FMN, në vitin 2021 niveli i borxhit parashikohet në 81,5% e PBB me një ulje 0,4% krahasuar me vitin 2020. Në vendet e rajonit, niveli mesatar i uljes së borxhit është 0,2% të PBB.

Ministria e Financave e parashikon nivelin e borxhit në vitin 2021 në 78,6% të PBB, ose një ulje me 2,3% të PBB krahasuar me vitin 2020, në raport me 3,3% të parashikimit të FMN. Por lidhur me borxhin publik, problemi nuk qëndron vetëm te stoku në rritje i tij, as te përbërja e këtij stoku, që qeveria vazhdimisht ka tentuar ta rrisë në jetëgjatësi dhe, kombinuar me faktin që blerësit kryesorë janë bankat e nivelit të dytë, bëjnë që norma e interesit të jetë më e lartë se normalja që duhet të ishte për këta instrumenta, por problemi real qëndron tek eficenca dhe efektiviteti i përdorimit të këtij borxhi, ku pjesa më e madhe e tij shkon për të shlyer borxhin paraardhës dhe për paga (shpenzime afatshkurtra). Si fakt mund të sillet rritja e nivelit të borxhit publik nga 66,3 % në 2019 në 80,9 % të PBB në vitin 2020, kur ndërkohë për pandeminë janë shpenzuar vetëm 1,05% e PBB.

Po të konsiderojmë në fund të vitit 2019, sipas raportit të buxhetit faktik të KLSH, detyrimet për projekte investimesh, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera: rreth 24,4 miliardë lekë; detyrimin për rimbursimin e TVSH në 14.8 miliardë lekë, kreditimin e tatim fitimit në 14.1 miliardë lekë, si dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore për detyrimet që rrjedhin nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit në rreth 19 miliardë lekë, vlera reale e borxhit publik në vitin 2020 mund të llogaritet në 85,4% e PBB (pa përfshirë riskun në rritje të portofolit të PPP-ve me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pakërkuar, garancive shtetërore, si dhe detyrimet e huas nga kompanitë shtetërore).

Pa diskutim që asnjë qeveri nuk garanton siguri dhe transparencë për qytetarët e vet kur vendos objektiv uljen e borxhit në të ardhmen pa përcaktuar më parë një nivel real të tij. Gjithsesi, rasti i keqmenaxhimit të borxhit apo treguesve të tjerë ekonomikë nuk është një rast i izoluar. Qeveria ndër vite ka dëshmuar se nuk di të vendosë objektiva SMART në ekonomi. Objektivat strategjikë të reformimit ekonomik, social apo edhe territorial, qeveria i ka lënë jetime pa i detajuar në plane konkrete dhe të arritshme pune, duke i shërbyer më shumë propagandës sesa mirëqenies së qytetarit.

Të ndodhur në kushtet dhe shqetësimet e lartpërmendura jemi mes riskut të lartë të mos-marrjes së vendimeve të drejta në lidhje me politikat fiskale, risk për të cilin duhet të reflektojmë të gjithë dhe të ngremë zërin.
James Clark: “Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrështetas mendon për brezin e ardhshëm”!
Pikërisht për këtë është koha…Për t’i lënë brezit të ardhshëm një vend më të mirë për të jetuar./MAPO

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular