Afati i fundit i vendosur nga KQZ-ja, për publikimin e listave të deputetëve që garojnë në 25 prill, që përkon me mesnatën e kësaj të hëne, ka vendosur në lëvizje partitë e vendit.
Partia Socialiste, ende nuk ka prezantuar kandidatët e saj në të gjitha qarqet. Pak minuta më parë kryeministri Edi Rama ka mbërritur në selinë rozë, ndërsa në ambientet e jashtme të saj, është duke u montuar një skenë lëvizëse, ku do të bëhet dhe prezantimi i kandidatëve.
Gazetari Ergys Gjençaj, raportoi në “BalkanWeb”, se mbledhja e Kryesisë e cila ishte parashikuar në orën 18:00, do të shtyhet për në 19:30. Po ashtu rreth kësaj ore pritet që kryeministri Edi Rama të ketë një komunikim me gazetarët.
Gjençaj tha se më vonë, drejtuesit politikë të qarqeve, njëri pas tjetrit do të prezantojnë kandidatët për deputetë për PS në të gjithë Shqipërinë. Partia Socialiste duket se ka një strategji politike për të maksimalizuar votën.
Drejtuesit e qarqeve në të gjithë vendin, nuk pritet të jenë pjesë e listave të sigurta, por në kufirin e mandateve që PS synon të marrë.
Kryeministri Rama, pritet të kandidojë në dy qarqe, Vlorë e Durrës dhe në të dyja, do të pozicionohet në vendin e tetë në listat emërore. Një strategji të tillë, Partia Socialiste e ndoqi në zgjedhjet e vitit 2017, ku kryeparlamentari Gramoz Ruçi, u vendos i 9 në listë në qarkun e Fierit dhe PS në këtë qark, siguroi 10 mandate deputetësh.
Sakaq, kujtojmë se gjatë ditës dy parti kanë dorëzuar në KQZ listën e kandidatëve. Ato janë, Lëvizja për Ndryshim e ish-parlamentares Jozofina Topalli dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e kryesuar nga Monika Kryemadhi.