FNSH dhe RENEA gjatë një aksioni të zhvilluar në Komunën e Parisit në Tiranë kanë vënë në pranga dy persona, njëri prej të cilëve pjesë e një grupui kriminal në Shkodër.
Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar sqaron se në kuadër të operacioni “Kompleski” u arrestua Barush Bregu, 33 vjeç, lindur në Shkodër dhe shtetasi B. Ç. 21 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Policia thotë se 33-vjeçari Bregu, i cili jetonte në një banesë të marrë me qira në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë ishte dënuar me 4 vite burg për kultivim droge.
“Ky shtetas është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje , pasi në shtator të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia, në banesën e këtij shtetasi u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Gjithashtu ky shtetas është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme, për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.
Policia 120 minuta aksion
FNSh dhe RENEA kanë ndërmarrë një operacion për arrestimin e një shumë të kërkuari në zonën e Komunës së Parisit.
Identiteti i të shumëkërkuarit ende nuk bëhet i ditur.
Gazetari i RTV Ora, Besar Bajraktaraj raporton se personi i kërkuar dyshohet se fshihej në një prej pallatave në këtë zonë.
“Informacioni është dhënë nga qytetarët, pasi kishte informacion se një person banonte në një prej pallateve, ndërkohë kishin dyshime se personi ishte në kërkim nga policia. Më pas banorët kanë njoftuar policinë, e cila nisi aksionin për kapjen”, raporton gazetari Bajraktaraj.
Për rreth 120 minuta policia rrethoi zonën, ndërsa në pikat më të larta të pallateve janë vendosur edhe snajperë, e cili mendohej se fshihej në këtë zonë.
Personi në kërkim ka rrezikshmëri të lartë kriminale, ndërsa dyshohet si i përfshirë edhe në vrasje.
Gazetari Bajraktaraj raporton se operacioni është kryer në bashkëpunim dhe me drejtori të tjera për llogari të Policisë së Shkodrës, pasi personi që ndodhet në kërkim ka dyshime të ketë lidhje me ngjarjet e fundit kriminale në Shkodër.
Deri tani mësohet se është shoqëruar vetëm një person, për të cilin nuk ka ende informacion.
Policia po mbledh prova materiale dhe po pyet banorë, të cilët mund të kenë dijeni për personin që dyshohet se ishte strehuar në një banesë me qira në këtë zonë.
Policia nuk ka ende një deklaratë për këtë operacioni.