Fal Operacionit nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Renean, FNSH e forcat Shqiponja të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë arrestohet në Komunën e Parisit një anëtar i grupit ‘Bajri’ në Shkodër. Ai është Barush Bregu 33 vjeç.
Bregu është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje , pasi në shtator të vitit 2018, gjatë operacionit ‘Oaz’ ku u godit grupi ‘Bajri’ në banesën e tij u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Po gjatë operacionit të ditës së sotme u arrestua në flagrancë dhe Bajram Çekorja 21-vjeç, banues në Shkodër për përkrahje të autorit. Dy të rinjtë u arrestuan në një banesë të marrë me qira te Komuna e Parisit. Pas arrestimit mesditën e sotme në Tiranë të Bregut dhe shokut të tij, ata janë transportuar në qytetin e Shkodrës dhe ditën e hënë do të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Bregu dyshohet se ka dijeni për një serë ngjarjesh që kanë tronditur qytetin e Shkodrës në dy vitet e fundit. Burime pranë policisë pohojnë se operacioni ‘Kompleksi’ është në vijim.