Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe, në 22-vjetorin e masakrës. Kurti ka pohuar se në bisedimet me Serbinë çështje me prioritet do të jenë krimet serbe në Kosovë dhe të humburit, ndërsa shtoi se do të kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi.
‘Drejtësia mungon dhe është obligim yni që të angazhohemi maksimalisht me institutin e ardhshëm për krimet e kryera gjatë luftës dhe me aktivizimin e Prokurorisë Speciale në mënyrë që të arrijmë t’i shërojmë plagët e luftës, duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjellë drejtësi’, u shpreh Kurti.
Kurse Osmani u shpreh se Krusha e Madhe dhe masakrat e kryera janë ‘zëri i lartë i ndërgjegjes që thërret për drejtësi’.
Osmani dhe Kurti më pas do të bëjnë homazhe edhe në Krushë të Vogël, në nderim të 22-vjetorit të masakrave të ndodhura në këto dy fshatra.