Për 8 vjet, mbi 3500 banorë të njësisë administrative Gurrë, në qarkun e Dibrës, nuk kanë marrë as edhe një investim nga qeveria. Shumë prej tyre u takuan me kandidaten e PD, Dhurata Çupi, me të cilën diskutuan vështirësitë e shtuara për shkak të braktisjes.
Rruga në gjendje të mjeruar i pengon të nxjerrin prodhimet në treg dhe të krijojnë të ardhura për të jetuar më mirë. Në fshatrat Gurrë e Madhe, Mishtër, Dom dhe Shulbater, zonja Çupi u takua me shumë burra e gra, që ndihen të braktisur, të diskriminuar, të harruar nga kjo qeveri që nuk u ka dhënë asnjë dorë, por vetëm u ka marrë. Në këtë zonë ka akoma familje që jetojnë në çadër. Kryefamiljari i tha Dhurata Çupit se jeton në çadër prej nëntorit 2019, me fëmijë të vegjël dhe pa asnjë ndihmë, pasi askush nga përfaqësuesit e shtetit nuk jep një zgjidhje. “Në 8 vjet ju keni përjetuar në çdo aspekt dështimin e kësaj qeverie, e cila vetëm ju ka rënduar, pa ju ndihmuar fare. Për shkak të kësaj qeverie, Dibra është sot një nga zonat me largimin më masiv të njerëzve dhe ne këtë duhet ta stopojmë. Qarku i Dibrës është një nga zonat ku qeveria e PD do të investojë me prioritet për të ndalur shpopullimin dhe për të siguruar një jetë normale për banorët”, – tha zonja Çupi, duke shprehur besim se shumica e banorëve të Dibrës do të votojnë PD dhe ndryshimin në 25 prill.