Pasi udhëtoi me urgjencë drejt Kavajës, Lulzim Basha në një prononcim për mediat e cilësoi plagosjen e sekretarit të kësaj partie një atentat ndaj PD-së dhe demokracisë.
Basha akuzoi publikisht kryeministrin Edi Rama për ngjarjen, ndërsa theksoi se ky i fundit është frikësuar nga humbja më 25 prill. Mes të tjerash ai i bëri thirrje qytetarëve të Kavajës që mos të frikësohen.
“Sonte Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë, një atentat kundër PD, kundër Aleancës për Ndryshim nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb. Kavaja fiton dhe Shqipëria fiton. Ka humbur çdo kufi njerëzor, sot hesht ndërkohë që njerëzit e tij me dhunën dhe atentatin ndaj demokracisë, tregojnë se këtij regjimi i ka ardhur fundi. Kërkojnë të frikësojnë Kavajën, PD, koalicionin për ndryshim, kërkojnë të na mbyllin gojën. Nuk na e kanë mbyllur gojën kurrë, nuk i kemi frikë, do marrin përgjigjen e merituar me votë të dielën sepse Kavaja e di fare mirë, të tilla akte kanë shënuar kthesat e mëdha, rrëzimin e diktatorëve dhe diktaturave, tregojnë frikën në palcë dhe humbjen e toruas nga një njeri dhe një grusht njerëzish. Shqiptarët janë të vendosur t’i largojnë dhe të bashkuar për të sjellë ndryshimin. E vendosur dhe e bashkuar është Kavaja, PD, Aleanca për Ndryshim. Le t’ia japim përgjigjen këtij akti burracak, këtij atentati të gjithë madsivisht të dielën në kutitë e votimit. Kështu t’i japim fund njëherë e mirë këtij 8-vjeçari makth dhe të kthejmë Kavajën e demokracisë, të shpresës hde zhvillimit. Të gjithë së bashku, asnjë hap mbrapa, të vazhdojmë marshimin tonë. Krah për krah deri ditën e diel”, deklaroi Basha.