BallinaKronikeKrimi në revansh/ Jetët e humbura nga përplasjet me armë në më...

Krimi në revansh/ Jetët e humbura nga përplasjet me armë në më pak se 5 muaj

spot_img
spot_img

Ende nuk janë mbyllur pesë muajt e parë të vitit 2021 dhe ngjarjet kriminale që kanë tronditur opinionin në Shqipëri janë të denja për fabulën e një seriali serioz mbi larjen e hesapeve mes narkotrafikantëve dhe jo vetëm. Zhdukje, atentate, porosi për vrasje, trafik droge dhe hasmëri të ndërthurura ndër vite, krijojnë episode që dëshmojnë se rendi dhe siguria, janë iluzione në kohën kur personazhet e krimit zgjedhin të bëjnë pushim para revanshit të radhës.

Ditën e sotme një i ri, vetëm 32 vjeç u gjet i vrarë në Shkodër në rrethana misterioze. Kufoma e tij kishte nisur të dekompozohej, pasi policia tha se Endri Mustafa ishte zhdukur prej tre ditësh. Hetuesit dalluan shenja dhune në fytyrën e tij. Para se të qëllohej me një plumb në gojë, 32 vjeçari nga Shkodra ishte torturuar. Pamjet e trupit të të riut, që e tregojnë atë me duart lart dhe të shtrirë në tokë në momentet e fundit të jetës qenë makabre.
Por Endri Mustafa është vetëm veçse viktima e fundit. Nga breshëritë e plumbave, në më pak se 5 muaj ka ndodhur një batërdi e vërtetë në vrasjet me armë.

Në fillim të Janarit, mediat italiane dhanë alarmin për zhdukjen e biznesmenit italian, Davide Pekoreli. Ai kishte marrë një makinë me qira në Aeroportin e Rinasit e cila u gjet u djegur në Pukë, ndërkohë që brenda saj kishte disa objekte të Pekorelit dhe materiale për të cilat ka dyshime se mund të jenë mbetje njerëzore.

Vritet Jetmir Bregu në Durrës

Jetmir Bregu u vra me breshëri automatiku në Durrës gjatë një mbrëmjeje më shi. Ai u qëllua në këmbë, në kokë dhe në pjesën e kraharorit. 32-vjeçari sapo kishte zbritur nga makina e tij në lagjen 16 në Durrës, kur u ekzekutua pranë stadiumit Niko Dovana nga persona ende të paidentifikuar. Policia e identifikoi viktimën si Jetmir Bregu, 32 vjeç, por burime thanë se më herët ai ka mbajtur një emër tjetër dhe njihej ndryshe si Ilir Kuçi.


1 Shkurt, Shkëlzen Kastrati, Fier

42 vjeçari Shkëlzen Kastrati u vra herët në mëngjes, ndërsa lëvizte me makinën e tij në vendin e quajtur Ura e Sheqit. Atentatorët e ndoqën dhe derdhën breshëri plumbash, ndërsa ai lëvizte në makinë. Më vonë u zbulua se ekzekutorët ishin vrasës me pagesë.

6 Shkurt, Gentian Qarri, Vlorë
Gentian Qarri u vra në Vlorë në 6 shkurt. Edhe ai me breshëri automatiku. Ishte duke ecur në këmbë në lagjen ”29 Nëntori”, ndërsa autorët e qëlluan nga makina e më pas janë larguar.
Një “Toyota” u gjet e djegur në Pyllin e Sodës pas disa orësh. Në bagazhin e saj, një automatik.

23 Shkurt, Behar Sofia, Tiranë

Behar Sofia sapo kaloi rrugën në anën tjetër të trotuarit, pa e ditur se një vrasës me pagesë, i veshur si lypës, po e ndiqtë nga pas përballë Piramidës në Tiranë. 66 vjeçari ra në tokë nga plumbat e një pistolete me silenciator. Pas arrestimit, vrasësi tha se ishte paguar për të organizuar dhe për ta ekzekutuar atentatin.

3 Mars Taulant Gjikaj, Vlorë
Taulant Gjikaj sapo ishte përplasur me dy persona të tjerë për çështjen e një borxhi dhe po largohej në këmbë në Vlorë. Një moment, të dy, Skerdjan Gabriani dhe Elton Hajnaj e ndalojnë sërish në rrugë. Njëri prej tyre nxjerr Kallashnikovin duke e qëlluar me breshëri. Gjikaj bie në tokë, ku ndërron jetë disa sekonda më pas.

20 Mars, Mond Koçia, Durres
Mëngjesin e 20 Marsit në Durrës, Mond Koçi, një ish anëtar i bandës së Durrësit, që lëvizte me shoferin e tij personal u vra në një atentat të organizuar nga profesionistë. Autorët qenë me veshje ushtarake dhe të maskuar, me shall e kapuç. Një “Benz ” i zi bllokoi rrugën në pritjet të arritjes së makinës me të cilën udhëtonte Koçia, të cilin e kanë ekzekutuar me breshëri të shtënash, një skenë që ka zgjatur rreth 20-30 sekonda.

4 Prill, Bardhok Pllanaj, Shkodër
Natën e 4 Prillit, një makinë iu afrua paralel mjetit me të cilën lëvizte Bardhok Pllanaj në Dobraç të Shkodrës. Nga kjo makinë u qëllua për gati 500 metra breshëri automatiku, deri kur Pllanaj ka mbetur i vrarë nga 40 plumba në prag të shtëpisë së tij. Pllanaj ishte një emër i njohur në Shkodër për problemet me drejtësinë dhe për pasurinë që kishte.


21 Prill, Pjerin Xhuvani, Elbasan
Pjerin Xhuvani u thirr nga një telefonatë në lagjen 5 Maji në Elbasan nga Mehmet Greca në kulmin e fushatës elektorale. Disa vullnetarë të Partisë Demokratike, mes të cilëve ish efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj e mbanin me forcë Grecën dhe kishin thirrur policinë për dyshimet e shitblerjes së votës. Por gjatë shkëmbimit të zjarrit Pjerin Xhuvani mbetet i vrarë, megjithëse në vendin e ngjarjes ishin thuajse 14 policë.

10 Maj, Bledar Birçaj, Vlorë
Për ekzekutimin e Bledar Birçajt u angazhuan qitës profesionistë. Ndërsa Birçaj lëvizte me mjetin e tij në mes të Vlorës, atij i kishin zënë pritë dy persona të maskuar të cilët qëlluan me precizion duke lënë të vrarë Birçajn për arsye që nuk dihen. Pas atentatit autorët janë larguar pa lënë gjurmë.


11 Maj, Everest Çaka, Elbasan
Everest Çakaj duket të jetë i fundit i një zinxhiri vrasjesh mes grupeve rivale dhe mes hasmërive në Elbasan. Ai ishte duke udhëtuar me bashkëshorten e tij në mbrëmje, kur një mjet i ka përplasur nga pas. Ndërsa Çakaj frenoi, pas tij zbriti një person i armatosur me pistoletë me silenciator dhe e ekzekutoi në kokë.

Ngjarjet e përmendura nuk i bashkon vetëm marrja e jetës përmes përdorimit të armëve. Një tjetër detaj sa pervers aq edhe hileqar i policisë i shoqëron thuajse përherë ngjarje të tilla dhe ky është kriminalizimi i viktimës. Në shumicën e rasteve, sapo ndodh një krim, policia shpërndan në media informacione për të shkuarën e tyre, duke e prezantuar herë si njeri me precedentë penalë, herë si trafikant droge e herë si ish të dënuar nga drejtësia, a thua se jeta këtyre personave vlen më pak se e gjithësecilit prej nesh./Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular