Endri Mustafa, 32-vjeçari që u gjet i ekzekutuar me armë zjarri mëngjesin e djeshëm në Livadhin e Shkodrës, ishte babai i tre fëmijëve dhe kishte hapur një shoqatë që merret me gara me kuaj. I ftuar në studion e “ABC”, gazetari Artan Hoxha u shpreh se ai është rrëmbyer me datë 14 Maj, është torturuar dhe pasi është ekzekutuar me një plumb në gojë, është qëlluar për disa herë të tjera.
Ai tha se rrëmbyesit kanë pasur për qëllim t’i nxjerrin informacion në lidhje me vendndodhjen e Asmer Bilalit, duke e lidhur ekzekutimin e Mustafës me sagën e vrasjeve të ndodhura në Shkodër.
“Është babai i tre fëmijëve. Kjo është një ngjarje e rëndë që u eklipsua nga kapja e 400 kg kokainë. Ngjarja në Shkodër ka hapur një episod që nuk ishte mbyllur dhe prodhoi 11 të vrarë në Shkodër. Ai është gjetur në orën 09:00 dhe në Shkodër e dinë se kush vret në atë zonë. Ai ishte denoncuar i zhdukur që në datë 14.
Ai është një vend që ka shumë lëvizje. Personi në fjalë kishte një shoqatë që merret me gara me kuaj. Personi njihet si shok i Asmer Bilalit. Dhe ky personazh është rrëmbyer në datën 14, është torturuar. Dhe në fund është ekzekutuar. Plumbi që i ka shkaktuar vdekjen është ai në gojë.
Para dy vitesh në zonën e Livadheve u vra një biznesmen, i cili edhe pse ishte vdekur e qëlluan. Grupet kriminale e bëjnë këtë kur duan të përgatisin vrasës të rinj që ai të mësohet të marrë jetë. Në rastin konkret person është marrë dhe është torturuar për t’i nxjerrë informacion. Asmer Bilali ka dalë nga burgu por nuk dihet ku është. Dy persona janë vrarë në kurriz të tij”, u shpreh Artan Hoxha.