Larg zhurmës dhe në një ceremoni private, këngëtarja shqiptare Xheisara i ka dhënë fund beqarisë, duke i befasuar të gjithë. Ajo ka kurorëzuar pak ditë më parë lidhjen e saj të fshehtë me martesë
Pavarësisht se ajo zgjodhi të ishte larg vëmendjes së publikut në këtë ditë, të ftuarit e “tradhtuan” duke publikuar në rrjetet e tyre sociale pamjet nga ceremonia e saj private
Nuk dihet ende se kush i ka vjedhur zemrën artistes sepse identiteti i partnerit të saj nuk është zbuluar ende, duke qenë se as vetë Xheisara nuk ka folur për të në intervista. Nga pamjet e publikuara shihet se Xheisara dukej shumë e lumtur me fustan të bardhë, ndërsa në një video shihej duke u përqafuar me partnerin, si nuse e dhëndër.
Por një moment nga dasma që s’u përmend askund, ishte një situatë e filmuar nga momenti i hedhjes së buqetës me lule nga nusja. Në atë moment kur Xheisara po hidhte buqetën te shoqërueset, mikesha e saj Xhensila Pere u shkëput nga grupi i vajzave që prisnin me krahëhapur lulet, duke nxjerrë gishtin e mesit si për të injoruar këtë moment.
Ky “gjest i turpshëm” i konsideruar i pazakontë në një ceremoni dasmë është komentuar shumë nga ndjekësit e Xhensilës, të cilët mendojnë se ajo e bëri për t’i prishur dasmën shoqes së ngushtë. Por ajo ka lënë të kuptohej se iu shmang momentit të hedhjes së buqetës, pasi nuk aspiron martesë për veten, si shoqja e saj e ngushtë.
Në fakt, miqësia e Xhensilës me Xheisarën ka qenë gjithmonë e mbuluar nga hije dyshimi. Moderatorja Pere dhe këngëtarja Xheisara u përfshinë pak kohë më parë në një sherr virtual, që rrëmbeu jo pak vëmendjen e ndjekësve. Xhensila Pere ishte e ftuar së fundmi në ‘EXPLUS’, ku ndër të tjera iu kërkua të thoshte emrin e personazhit publik më zhgënjyes për të.
“Më ka zhgënjyer Xheisara. Nuk më pëlqen që bëhet shkak për ndarje çiftesh”, u shpreh Xhensila, duke u bazuar, me sa duket, në thashethemet e qarkulluara pak kohë më parë, ku ajo u akuzua se kishte ngacmuar aktorin Romeo Veshaj, në kohën kur ishte i lidhur me këngëtaren Jonida Maliqi.
Por, duket se Xheisarës nuk i ka kaluar pa vëmendje ky koment i Xhensilës dhe zgjodhi rrjetet sociale për t’i kthyer përgjigje asaj, duke shkruar në “InstaStory”.
“E di që të gjithë jeni të habitur më përgjigjen e Xhensilës. Askush, nisur dhe nga unë, nuk e priste që mikja ime prej shumë vitesh të tregohej kaq e sinqertë në atë lloj forme. E dashur Xhensila! Bën mirë të heqësh dorë nga të qenurit ‘Nënë Tereza’ dhe merakosu për burrin tënd dhe lëri burrat e botës, se e gjejnë direkt ngushëllimin!”.
Kjo nuk ishte hera e parë që ish-lojtarja e njohur e “Big Brother“ fliste hapur për këngëtaren Xheisara, të cilën e ka shoqe të ngushtë. Pak muaj më parë, në një intervistë në “Ftesë në 5”, Xhensila tha se këngëtarja tërhiqet nga meshkujt me makina të bukura.
Në emisionin ku ishin të dyja të ftuara në studio, vajzat treguan më shumë rreth miqësisë së tyre, si dhe zbuluan disa detaje të reja në lidhje me to. Në sfidën e vendosur nga Bieta, Xhensila i nxori të palarat shoqes së ngushtë. Xhensila tha se këngëtarja tërhiqet nga meshkujt me makina të bukura, ndërsa nuk vonoi Xheisara duke shpjeguar arsyen.
Ajo tha se një ditë ishte në një bar me Xhensilën dhe po flisnin për makina të bukura, pranë tyre qëndronte ulur një djalë i pashëm. Në momentin që këto dalin nga lokali, djali kishte një makinë luksoze dhe përshëndet me dorë këngëtaren, e cila siç e konfirmoi edhe vetë, e përshëndeti pa ndonjë shkak.
“Ajo është shoqja ime e ngushtë dhe ne kemi shumë situata bashkë. ‘Gold tiger’ janë këto gocat që i provojnë në Amerikë çunat me makina të bukura. Edhe unë një ditë bëra gjatë gjithë kohës muhabet për këto gocat dhe ngjitur kishim një djalë që ishte goxha king dhe unë që gjatë gjithë kohës s’po ia fishkëlleja fare. Kur dolëm jashtë, ky ishte me një makinë të bukur dhe më ngriti dorën, ne ishim bashkë dhe unë për momentin, pa vetëdije, ngrita dorën. Prandaj thotë ajo që unë vërej makinat!”, u shpreh Xheisara.