Një sulm me armë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Plymouth, Angli duke shkaktuar shumë viktima.
Lajmi u bë i ditur nga mediat britanike të cilat nuk raportuan numrin e saktë të viktimave.
Gjithashtu pretendohet se autori është qëlluar, por nuk është e qartë nëse kjo është bërë vetë ose nga oficerë të armatosur.
Deputetët vendas e kanë përshkruar situatën shumë serioze, duke shtuar se është një ditë e zymtë për komunitetin e tyre.
“Duket se po ndodh një situatë shumë serioze në Keyham. Ju lutemi të gjithë mund të qëndrojnë të sigurt, të qëndrojnë brenda dhe të ndjekin këshillat e policisë. Në pritje të konfirmimit të numrit të viktimave, por kjo duket si një ditë shumë e zymtë për qytetin tonë dhe komunitetin tonë. Ju lutem, a mund t’ju kërkoj që të mendoni për familjet dhe komunitetin tonë dhe të mos ndani asnjë imazh ose video të ndonjërit prej viktimave”- tha deputeti Luke Pollard.
Johnny Mercer, një deputet konservator lokal, me një postim në Twitter tha se nuk është një sulm terrorist, por është një ngjarje tragjike dhe e rëndë.
“Ne i jemi përgjigjur incidentit me një numër të konsiderueshëm burimesh, duke përfshirë Ekipin e Reagimit të Emergjencave (HART), shumë ambulanca, ambulancë ajrore, shumë mjekë dhe infermierë,” tha Shërbimi i Ambulancës Jugperëndimore , duke shtuar se do të siguronte më shumë informacion më vonë.