Nga AZGAN HAKLAJ
(President i Unionit Artistik te Kombit Shqiptar)
Festivali që përflaki shpirtin e Kombit Tonë.
Ky festival u kushtohet patriarkëve të rapsodisë shqiptare Dervish Shaqja e Demush Neziri.
Ky eveniment i madh i kulturës kombëtare tashmë është kthyer në traditë të përvitshme.
Deçani në ditët e tij shndërrohet madhërisht në kryeqytetin e kulturës, historisë e kujtesës sonë kombëtare.
Simbolika e tij është zgjedhur siç i thonë nga Providenca hyjnore Shkëlzeni, Olimpi Shqiptar, nga kreshtat e të cilit, nën kupolën e qiellit, të pastra si kristali ndihesh si në çatinë e Botës.
Nga aty mund të sodisësh Fushën e begatshme të Rrafshit të Dukagjinit, të
përshëndetesh me Gjerovicën, Jezercën, Pashtrikun e Gjallicën.
Nga aty mund të shijosh bukurinë e Malësisë së Gjakovës (Tropojën), fushën e mahnitshme të saj, Hirushes më të bukur të Atdheut Tonë, ku Valbona kaltëroshe e bukur si ëndërr rrjedh në rrugën e saj të lashtë e bukur dhe krenare si Tanusha.
Për nga rëndësia e simbolikës lëgjendare e miteve Shkëlzeni është një perlë që vetëm zotat e Olimpit mund ta projektonin.
Eshtë një antitezë e Luginës së mbretërve të Egjiptit.
Nuk është si vendi ku janë varrosur fareonët e lashtë por një mal i lartë madhështor, i cili puth qiellin më të bukur e më të kristaltë të Planetit.
Ketu sipas lëgjendës janë varrosur Herkulët, Muji dhe Halili.
Rrëzë tij shtrihet Fusha e Mejdanit ku Gjergj Elez Alija u ngrit nga shtrati i vdekjes, e mundi në dyluftim dhe i preu kryet Bajlozit të zi që i kërkonte sytë e bukur të motrës.
Shkëlzeni, Tropoja, Rrafshi i Dukagjinit janë oreali mijravjeçar i Kombit Tonë, ku trashigimia historike, kultura, mitologjia, doket e zakonet janë ruajtur mrekullisht në formën e tyre autentike.
Zjarri është miti më i vjetër Pellazgo-Iliro- Arbëror.
Eshka është simbolika e zjarrit të pashuar.
Në Shkëlzen Zeusi zbriti kurorën apo gurëgacin siç i thonë malësorët gurit të bardhë magjik, i cili është përdorur në shekuj nga mjeshtërit farkëtarë Iliro- Arbëror për të prodhuar shpatat e shigjetat, armë vdekjeprurëse për armikun.
Shkëlzeni është Selia dhe Kryetempulli i përendive pellazgo-ilire, i shenjtorëve dhe martirëve të krishtërimit, i misionarëve mendjendritur të islamit që e deshën më përkushtim e devacion tokën e bekuar të alpeve e banorët e saj hyjnorë që kuvendonin me zotat nëpërmjet institucionit të lahutës.
Shkelzeni, ky Tempull madhështor i historisë sonë të vjetër e të re, është monument i bashkimit, vazhdimsisë historike dhe vëllazërimit të shqiptarëve.
Aty është qendra e Shqipërisë etnike.
Në Shkëlzen i gjen e kuvendon me hyjnorët “Nderi i Kombit”Dervish Luzha e Rexhep Beli.
Festivali Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen u kushtohet patriarkëve të rapsodisë shqiptare binomit të pandashëm Dervish Shaqja e Demush Neziri.
Gjatë gjithë jetës së tyre ishin në akord si dy telat e çiftelisë për çeshtjen kombëtare shqiptare.
Shpirti dhe zemra e tyre digjej si eshka në Shkëlzen për Kosovën martire.
Kënga e këtyre korifejëve të rapsodisë shqiptare shpërthente si vullkan nga gjoksi i Shkëlzenit dhe lëshonte kushtrimin për qëndresë.
Festivali u organizua me dt 4-5-6 maj që përkonte me ditën e dëshmorëve, me 22 vjetorin e renies në kufirin e vendosur padrejtësisht mes shqiptarëve të Gjeneral Luan Haradinajt.
Me 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Smajl Haradinaj, i cili u shpall nga presidenti Hashim Thaçi Heroi i Kosovës.
Festivali kulmoj në ditën e tretë me 6 maj që është dita e Shën Gjergjit, kalorësit të Zotit, i cili me shtizën e tij e shpoi brinjë me brinjë kuçedrën e zezë.
6 maj është ditëlindja e Gjergj Kastriotit (Skënderbeu) Kryetrimit të historisë sonë kombëtare, i cili u ngrit si Anteu në mbrojtje të trojeve shqiptare, ngadhnjeu një çerek shekulli mbi Perandorinë Otomane.
Ai me shpatën e tij si shkopi magjik i Moisiut u ba mburoja e Arbërisë dhe Qytetërimit Europian.
Në krah të tij për vite me radhë qëndruan prijësit e Dukagjinit Lek dhe Pal Dukagjini dhe prijësi i Gashit Pjetër Shpani me të bijtë.
Ky manifestim mbarëkombëtar kremtoi rënien e djaloshit trim të Dukagjinit 22 vite më parë Luan Haradinaj.
Ai ra në piramidën e Atdheut për të mbetur në përjetësi flakadan i pashuar lirie.
Ai ra në ditëlindjen e Heroit Tonë Kombëtar.
Familja e tij Haradinaj dhe Familja Jasharaj e kanë shkruar me germa të arta historinë e tyre në memorien e përjetshme të Kombit.
Ky festival ishte i veçantë sepse përkonte me vitin jubilar të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, 20 vjetorit të bombardimeve të NATOS mbi makinerinë gjakatare serbe në mbështetje të UÇK- së së lavdishme për çlirimin e Kosovës, 10 vjetorit të antarësimit të Shqipërisë në NATO.
Mirënjohje UÇK-së.
Lavdi veprës së heronjëve të Kombit që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.
Mirënjohje NATOS.
Mirënjohje SHBA.
Edicioni i 9-të i këtij festivali ishte i pari pa plakun e luftës Bacën Hilmi Haradinaj.
Baca Hilmi dhe Nënë Ruka që me 6 maj kishte ditëlindjen i dhanë UÇK-së katër gjeneralë Ramushin, Shkëlzenin, Dautin, Enverin dhe luftës së saj tre deshmorë, Luanin, Shkëlzenin Enverin.
I dhanë Kosovës simbolin e qëndresës Kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili ndonëse i vetëm në Samitin e Berlinit shterroi ëndrrat e Serbisë së madhe të frymëzuara nga Vuk Karagjiçi, Ilia Garashanini, Çubriolloviçi, Dobrica Qosiçi.
Ky vit është i veçantë për shqiptarët e Maqedonisë sepse zyrtarizuan Gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezes.
Si rezultat i kembënguljes dhe vendosmërisë së tyre Maqedonia e Veriut e nisi rrugëtimin drejt NATOS dhe BE.
Shqiptarët e Malit të Zi në Tuz jetësuan mesazhin e thuprave të Gjergj Kastriotit dhe pas 108 vjetësh realizuan ëndrrën e Ded Gjon Lulit duke shënuar fitoren spektakolare në Komunën e Tuzit dhe çertifikuar pranverën tuziane.
Festivali i Deçanit nderoj dhe përkujtoj me ndjenjë respekti dhe krenarie dy korifej të këngës shqipe që i kënduan brengës, dhëmbjes, por dhe qëndresës e krenarisë së Kosovës e trojeve tona etnike me pathos të shquar patriotik, me zë bilbili, si askush tjetër Dervish Shaqja e Demush Neziri.
Këta aedë shqiptar nuk e harruan kurrë Kosovën martire.
Këta homer shqiptar dhanë shpresë dhe forcë, ushqyen qendresën me vargjet gjemimtare:
“Moj Shqipni mos thuaj mbarova
Se djemt tu hala janë gjallë
Në kambë është çuar rreptë Kosova
E ban luftën ballë për ballë”
Me këtë këngë trimash e cila me të drejtë është cilësuar “Mersajeza shqiptare” bijtë dhe bijat shqiptare hidheshin si shqiponja mbi bishat serbe.
Me këtë këngë ranë në fushën e nderit djemt dhe vajzat shqiptare për tu përjetësuar në Altarin e Kombit.
Kënga dhe vallja shqipe janë krenaria jonë, bashkëudhëtaret tona të historisë, pashaporta e identitetit tonë kombëtar, një pasuri shumë e vyer e gjenisë krijuese të racës shqiptare, të cilën Atdheu Ynë do ta shpalosë me krenari në muzeun e kombeve të civilizuara.
Nuk ka kryevepër të njerëzimit e as autor të madh që të mos jetë mahnitur duke shkruar me superlativa për fisnikërinë e rracës tonë, të Drejtën Tonë Zakonore, mikpritjen, besën, këngët dhe vallet, kolorin mahnitës të veshjeve popullore.
Korifej të Botës nga Homeri deri tek Lord Bajroni kanë shkruar për këto vyrtyte shqiptare.
Një komb i kulturuar e me kujtesë historike është i pavdekshëm.
Eposi i Kreshnikëve, lahuta Iliriane, Kanuni i Lek Dukagjinit, Kodiket e Beratit do ti mbijetojnë shekujve për ti treguar Botës visaret e racës së vjetër fisnike të shqiptarëve.
Detyra jonë është për të ecur në gjurmët e të parëve tanë të shquar, për ti ruajtur me fanatizëm këto pasuri shpirtërore e kulturore e për ti përcjellë besnikërisht tek brezat e ardhshëm.