Nga Myqerem Tafaj
Zhvillimet në Akademinë e Shkencave tregojnë se funksionarë politik aktiv, pa kontribute të mirëfillta shkencore, po uzurpojnë Akademinë e Shkencave.
Në Asamblenë e Akademisë është një grup shkencëtarësh të talentuar, me kërkime, studime dhe botime shkencore të mirënjohura, jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Por ky grup është në minorancë dhe jo i preferuar nga qeveria.
Të pretendosh të jesh sot antar i Akademisë, pa një kontribut të njohur edhe në shkallë internacionale në fushën përkatëse të shkencés, është një fyerje për komunitetin e kërkuesve dhe studiuesve shqiptar, i cili duhet të përfaqësohet në Akademi me më të mirët, me ata që gëzojnë autoritetin shkencor dhe mund të udhëheqin me ide, madje edhe me projekte, kërkuesit e fushës/disiplinës përkatëse. Ndryshe, akademikët janë të dërguar politikisht në Akademi. Ndërsa kryetari dhe kryesia e Akademisë duhet të jenë shkencëtarët më të mirë shqiptar dhe që janë edhe më të cituarit në shkallë ndërkombëtare.
Mbushja e Akademisë me politikanë aktiv, në kundërshtim të plotë me ligjin në fuqi, e coi Akademinë deri në këtë gjendje.
Akademik Fuga e ka ngritur zërin, por ka qenë i vetëm!
Qeveria bëri sikur do të konsideronte variantin e propozuar nga Fuga, por sa për sy e faqe. Që në momentin që u fut në lojë Ministria e Arsimit, ndërkohë që Akademia duhet të jetë institucion shkencor i pavarur që funksionon sipas një ligji të vecantë, u duk qartë që Akademia do kthehej në një lloj agjencie në varësi të ministrisë. Madje doli ministrja dhe e ngatërroi Akademinë me ndonjë OJF ballkanike që financohet nga ndonjë fondacion!!
Shqipëria, që ka sot qindra shkencëtarë të talentuar, madje edhe në universitetet dhe qendrat kërkimore më të njohura të botës, nuk ka nevojë për një Akademie ideologjikë në shërbim të politikës.
Prandaj, nëse Akademia do të uzurpohet edhe në drejtim nga politikanë, ajo do të injorohet nga komuniteti akademik shqiptar, dhe, praktikisht, ajo do të jetë një institucion, ku do të paguhen disa njërëz, por pa autoritet shkencor dhe pa ndonjë rol në zhvillimin e shkencës dhe dijes në Shqipëri.