Nga Ahmet Prençi
Doli nga botimi romani i Shefqet Mekos “Saga përtej Atlantikut”. Dua ta ndaj me miqtë e mi këtë ngjarje të rëndësishme për autorin dhe lexuesit. Une ndjehem i gëzuar më shumë për shkak të miqësis së hershme dhe të çmuar që kam me autorin. Ai ishte në kohën studentore, Drejtori më i madh i gazetës më të vogël në atë kohë ( siç është shprehur Prof. Hulusi Hako), ku dhe unë student, isha pjesë e asaj redaksie simpatike.
Romani “Saga përtej Atlantikut”, që Shefqet Meko po i jep lexuesit shqiptar, është një risi mjaft interesante që trajton fenomenet e mprehta sociale, profilet e veçanta të personazheve dhe frymën social – kohore që ata mbartin në vetvete.
Ky libër, trajton thellësisht një raport të brendshëm të kohës dhe vendeve. Skanon situate që lidhen me historinë, psikologjinë dhe individin në një shoqëri të kufizuar politikisht, kulturalisht dhe psikologjikisht siç ishte komunizmi. Nga ana tjetër na paraqet në mënyrë të detajuar mjedisin e një shoqërie e vendit të lirë, në Amerikën e përtej Atlantikut ku autori jeton prej vitesh. Diversiteti i dy kohëve dhe metamorfoza që ndodh me personazhin që i jeton dy kohët dhe dy vendet është në themel të këtij romani mjaft të spikatur e të veçantë.
Kontrastet e thella shtrihen në të gjithë subjektin dhe personazhet, të cilët valorizojnë të dhëna, dëshmi dhe informim të nevojshëm kohorë, njerëzorë dhe shoqrorë. Kjo e bën romanin tejet interesant në të gjitha faqet e tij.
Romani përcjell mjaft mirë një dëshmi social- psikologjike të “fatit” të individit dhe pesha që ai mbart në dy shoqëritë, atë totalitare dhe atë të lirë. Në një subjekt të zhdërvjellët, Shefqet Meko arrin të na e tipizojë një personazh të tillë, i cili nëntekston fate popujsh.
Romani mbart dy realitete njerëzore me gjithë marrëdhëniet, që nga ato të dashurisë, familjes, shoqërisë, të njeriut me shtetin etj. Kryepersonazhi i romanit Xhelo Lakrori ngjan me një pluskim të qartë në realitetet përkatëse, duke i dhënë romanit një komunikim të jashtëzakonshëm.
Romani është shkruar me një stil rrëfyes dhe emocionalitet që të mban mbërther deti në faqen e fundit.
Gjej rastin të falenderoj Bujar dhe Miranda Karoshin dhe shtëpinë botuese M&B, redaktorin Dëfrim Cani, korektoren Alma Meko (Balli), Mjeshtrin Zaim Elezi (Zaja), Elzana Agollin për kopertinën dhe Arben Çejkun me kompozimin e “Metamorfozës” që përmbledh në një diçiturë atë tronditje emocionale që shkakton i gjithë romani.
I uroj mikut tim Shefqet Meko suksese në libra të tjerë dhe romanit i uroj udhë të mbarë ndër lexues.