Jean-Paul Belmondo, aktori francez që fitoi famën ndërkombëtarisht me filmin “Breathless”, të regjisorit Jean-Luc Godard, ndërsa për publikun shqiptar mbahet mend për rolin e tij në filmin “Profesionisti” ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare
Lajmi është dhënë për AFP-në nga avokati i aktorit francez. Belmondo, që nga francezët thirrej Bebel ishte një prej yjeve më të mëdhenj të kinemasë franceze në vitet ’60-’70, që me portretin e ashpër dhe asimetrik shihej si kontrast i rivalit-bashkëpunëtor, Alain Delon.
Ashtu si Delon, Belmondo ishte protagonist në gjeneratës që ngriti në nivelet më të larta globale kinematografinë europiane.
I lindur në vitin 1933 në një lagje të pasurish të Parisit, si djali i skulptorit Paul Belmondo, Jean ndoqi arsimin në një seri shkollash e institucionesh elitare, por asnjëherë nuk shkëlqeu në to. Ishte më shumë i interesuar për sportin, sidomos boksin ku si adoleshent nisi një karrierë amatoreske në këtë sport.
Tuberkulozi e detyroi që të hiqte dorë nga kjo karrierë dhe të shfaqte më shumë interes për aktrimin. Në vitin 1952 aplikoi dhe ndoqi studimet në Akademinë e Arteve Dramatike.
Pas diplomimit karrierën e nisi në teatër, ndërsa ekranin e nisi me hapa të vegjël me role dytësore, kur u pa nga regjisori Godard. Ky i fundit nuhati talentin e tij, duke i dhënë udhë një bashkëpunimi disavjeçar, që do t’i ngjiste në majat e sukseseve që të dy.
Publiku shqiptar e mban mend për rolin e tij në filmin “Profesionisti”, prodhim i vitit 1981 i regjisorit Georges Lautner. Filmi i zhanrit aksion thriller bëri bashkë edhe disa emra të tjerë, si Enio Morricone, që kompozoi kolonën e famshme zanore “Chi Mai”.
“Profesionisti” luhet rreth një agjenti të shërbimeve sekret franceze, Josselin (Zhos) Beaumont (Jean-Paul Belmondo) që gjatë një misioni për të vrarë një udhëheqës afrikan me emrin Njala tradhtohet nga politika dhe eprorët e tij. Pas shumë vuajtjesh nëpër gjykata e burgje, “Profesionisti” arrin që të arratiset dhe të eleminojë disa prej eprorëve të tij, ndërsa kërkon që ta përfundojë misionin e vrasjes së udhëheqësit afrikan, por pak para se ta kryejë këtë mision, vritet nga agjentët sekretë francezë.