Një sherr i madh shpërtheu midis udhëheqësve të talebanëve në Afganistan. Lajmin e publikon BBC që citon zyrtarë të lartë talebanë. Debati ka qenë mes bashkëthemeluesit të talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar dhe një anëtari të qeverisë në pallatin presidencial. Edhe më parë ka pasur raporte të pakonfirmuara për mosmarrëveshje brenda udhëheqjes së talebanëve që kur Baradar u zhduk nga publiku ditët e fundit, por ato janë mohuar zyrtarisht.
Talibanët morën kontrollin mbi Afganistanin muajin e kaluar dhe që atëherë e kanë shpallur vendin një “Emirat Islamik”. Kabineti i tyre i ri i përkohshëm përbëhet tërësisht nga burra dhe nga figura të larta talebane, disa prej të cilëve janë të njohur për sulmet ndaj forcave amerikane gjatë dy dekadave të fundit.
Një burim taleban i tha BBC se Baradar dhe Khalil ur-Rahman Haqqani, ministër për refugjatët dhe një figurë e shquar brenda rrjetit militant Haqqani kishin shkëmbyer fjalë të forta, pasi ndjekësit e tyre u grindën me njëri-tjetrin aty pranë. Një tjetër grindje kishte shpërthyer edhe javën e kaluar.
Të njëjtat burime thanë se sherri kishte nisur pasi Baradar si zëvendëskryeministri i ri ishte i pakënaqur me strukturën e qeverisë së tyre të përkohshme. Grindja buron nga përçarjet se kush mes talebanëve duhet të marrë meritën për fitoren e tyre në Afganistan.
Baradar këmbëngul që theksi të vendoset te diplomacia e kryer nga njerëz si ai, ndërsa anëtarët e grupit Haqqani, i cili drejtohet nga një prej figurave më të larta talibane dhe mbështetësit e tij thonë se kjo është arritur përmes luftës.
Baradar ishte lideri i parë taleban që komunikoi drejtpërdrejt me një president amerikan pasi pati një bisedë telefonike me Donald Trump në vitin 2020. Para kësaj, ai nënshkroi marrëveshjen e Dohas për tërheqjen e trupave amerikane në emër të talebanëve.
Ndërsa rrjeti i fuqishëm Haqqani është i lidhur me disa nga sulmet më të dhunshme që kanë ndodhur në Afganistan kundër forcave afgane dhe aleatëve të tyre perëndimorë vitet e fundit. Grupi është shpallur nga SHBA si një organizatë terroriste. Udhëheqësi i saj, Sirajuddin Haqqani, është ministri i brendshëm në qeverinë e re.
Thashethemet për një përplasje janë përhapur që nga fundi i javës së kaluar, kur Baradar – një nga fytyrat më të njohura të talebanëve – u zhduk nga sytë e publikut. Kishte spekulime në mediat sociale se ai mund të kishte vdekur.
Një burim nga talebanët i tha BBC se Baradar ishte larguar nga Kabuli dhe kishte udhëtuar për në Kandahar pas sherrit. Në profilet e talebanëve u postua një audio e Baradar që thoshte “jam mirë kudo që jam”, por BBC thotë se nuk mundi të vërtetojë autencitetin e saj.
Shumë afganë kanë arsye për të dyshuar në fjalën e talebanëve. Në vitin 2015, grupi pranoi se e mbuloi vdekjen e udhëheqësit të tyre themelues Mullah Omar për më shumë se 2 vjet, kohë gjatë së cilës ata vazhduan të lëshonin deklarata në emër të tij.
Burimet i thanë BBC se Baradar pritej të kthehej në Kabul dhe mund të dilte në TV për të mohuar se kishte ndodhur ndonjë sherr. Spekulimet vijojnë edhe për komandantin suprem të talebanëve, Hibatullah Akhundzada, i cili nuk është parë kurrë në publik. Ai është përgjegjës për çështjet politike, ushtarake dhe fetare të talebanëve.