Sekretari i Grupit Parlamentar të PD, Arbri Agalliu, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për skandalin e “Pandora Papers”, ku i bëri thirrje Prokurorisë që të ndjekë paranë, pasi do të zbulojë, sipas tij, “peshqit e mëdhenj”.
“Nuk do shpikje për të gjetur politikanët shqiptarë, të lidhur ngushtësisht me krimin dhe drogën. Mjafton në Tiranë të ndiqet paraja, të ndiqen makinat e shtrenjta, kush i blen apartamentet me qindra mijëra euro në mes të Tiranës. Nuk ka vullnet, besoj unë.
PD, një nga elementët që ka në fokus, është presioni me mjete demokratike, që Prokuroria të investigojë dhe të vendosë para ligjit ata individë që në këto 30 vite kanë abuzuar me pronën publike, me të ardhurat që vijnë si rezultat i punës së shqiptarëve. Në këtë mënyrë, PD inkurajon Prokurorinë që të ndjekë paranë dhe pa diskutim që do të dalin ata që ambasadori Lu i cilësonte si ‘peshqit e mëdhenj’”, u shpreh ai.
Më tej, sekretari i Grupit të PD komentoi krizën energjetike, të paralajmëruar këtë të diel nga kryeministri Edi Rama. Agalliu tha se është e pafalshme që kryeministri del e krijon panik, duke iu thënë shqiptarëve se po vjen vala e tretë e fatkeqësisë. Sipas tij, PD ka bërë publike disa masa, që duhen ndërmarrë në këtë moment, për të parandaluar efektet negative të kësaj krize.
“Është e pafalshme që një kryeministër të dalë e të krijojë panik, duke thënë se po vjen vala e tretë e fatkeqësisë. Nuk besoj që Shqipëria, me gjithë këto mundësi, të kalojë në një situatë të tillë. Edhe realiste të ishte, ka mënyra e mënyra për ta thënë. Nuk ka shqiptar, i varfër apo i varfër qoftë, që nuk do të ndjejë efektet e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, sepse çdo sektor i shoqërisë sot është i prekur direkt nga energjia. Po ashtu, shqiptarët do të ndjenjë edhe efektin negativ të rritjes së çmimit të karburantit. Jemi koshientë që ka prirje të rriten çmimet në Evropë, por nuk ka asnjë akt nga qeveria jonë që të favorizojë biznesin shqiptar.
Jemi vendi i vetëm në Evropë që kemi çmimin më të lartë të naftës. PD ka bërë publike disa nga masat, që i gjykon të nevojshme për t’u ndërmarrë në këtë moment, ku në thelb ngelet filozofia e PD për taksat e ulëta, duke ulur TVSH, taksën e karburantit, duke menaxhuar mirë sektorin e energjisë elektrike. Nga të dhënat e deritanishme është evident faktori i korrupsionit të lartë”, tha Agalliu.
I pyetur për Reformën Territoriale, Agalliu theksoi shkurtër se “Ne besojmë se ndarja territoriale është bërë me qëllimin e maksimizimit të votës për PS. Ne jemi në një pikë të tillë, ku kryetari Basha ka thirrur kryetarët e degëve të PD dhe ka kërkuar të fillojë një konsulencë e gjerë, me qëllim propozimin e një reforme territoriale në shërbim të qytetarëve”./BW