Kryevepra e Armando Brojës përballë Hungarisë mban të ndezur ëndrrën për të siguruar një vend në fazën “play off”. Nëse dëshirojmë të kemi në dorë fatin në këtë rrugëtim, atëherë kërkohet fitorja me çdo kusht. Në këto momente në konferencë për shtyp në vigjilje të sfidës kundër Polonisë, janë kapiteni Berisha dhe trajneri Edy Reja:
KAPITENI ETRIT BERISHA
“Jemi të vetëdijshëm që mund të bëjmë diçka të madhe që nuk e kemi arritur më herët, çdo ndeshje do jetë më e vështirë. Në sfidën e radhës presioni është mbi Poloninë dhe ta heqim këtë gjë nga supet tona. Në Botëror shkojmë ose jo, nuk ka të mesme. Shpresojmë që nesër të bëjmë më të mirën.
Presion? Medoemos kemi të japim gjithçka nga vetja, të gjitha rezultatet janë të mundshme. Të fokusohemi te gjërat që na tha trajneri. Kundër tyre në Poloni bëmë një ndeshje të bukur dhe kishim mundësi të shmangnim golat e pësuar. Kemi kualitete dhe mund të bëjmë një ndeshje të mirë, kemi mbështetjen e tifozëve dhe siç e thashë më parë nuk kemi pse të kemi presion.
Përballë Lewandowskit dhe pa Gjimshitin? Berati është lojtar kyç për ne. Ka bërë mirë is kuqezi edhe te Atalanta. Na ka ndodhur një fatkeqësi me dëmtimin e tij. Veseli ka bërë mirë në vendin e tij. Skuadra do jetë kompakte dhe ata që do luajnë do bëjnë mirë. Lewa është një ndër më të mirët në futboll, do duhet ta neutralizojmë si ekip.
Me kë përngjan kjo ndeshje? Ka disa, si ajo me Norvegjinë ose Serbinë. Jemi të vetëdijshëm për këtë gjë, ta marrim me qetësi sepse po luajmë me një ekip të madh dhe nesë humbasim nuk është fundi I botës. Kemi kualitet të madh.
Rreziku nga goditjet standarte? Jemi munduar të ushtrohemi, fakt është se ata na mundën nga goditjet standarte. Edhe në Hungari pësuam një shtyllë. Më shumë është punë përqëndrimi dhe të mundohemi të jemi të vëmendshëm, sepse kemi pësuar nga ato pozicione”, tha Berisha.