Nga Adriatik Doçi
Qeveria Rama III do të nisë një aksion të ri në luftën kundër korrupsionit në administratën publike, e cila është një nga kushtet kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe një nga çështjet me jetike për zhvillimet demokratike dhe jetën e qytetarëve. Në 20 tetor të këtij viti, qeveria miratoi krijimin dhe funksionimit e rrjetit të koordinatorëve kundër korrupsionit në administratë, nën drejtimin e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Shqiptarja.com sjell sot të gjitha degët e administratës publike, ku do të shtrihet dhe veprojnë rrjeti i koordinatorëve, të cilët do të hetojnë, dokumentojnë dhe raportojnë rastet e korrupsionit.
Janë 48 institucione publike në nivel qendror dhe vendor, ku do të shtrihet rrjeti i koordinatorëve. Më konkretisht, do të jenë objekt monitorimi dhe hetimi për korrupsion, sjellje arbitrare dhe abuzime të tjera, agjencitë kryesore si; Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, e barnave dhe pajisjeve mjekësore, e bregdetit, e burimeve natyrore, e mjedisit, e zonave të mbrojtura, e pasurive të sekuestruara, e cilësisë në arsimin e lartë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Agjencia e Kadastrës.
Koordinatorët do të shtrihen tek drejtoritë kryesore si tek tatimet, doganat, gjendja civile, transporti rrugor, shëndeti publik, sigurimet shoqërore, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Aviacioni Civil dhe AKU-ja. Vendimi i qeverisë përfshin edhe Albpetrol, AlbControlsh, OST, KESH, si dhe portet e Durrësit, Sarandës, Shëngjinit dhe Vlorës. Posta Shqiptare, Shërbimi Social Shtetëror, QSUT, të gjithë spitalet në Tiranë dhe rrethe si dhe të gjitha drejtoritë rajonale të arsimit do të mbulohen me koordinatorë, për goditjen e korrupsionit.
Si do emërohen koordinatorët
Emërimi dhe shkarkimi nga detyra i koordinatorit bëhet nga titullari i institucionit përkatës që do të mbulojë, por me propozim të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili është Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit. Rregullat më të detajuara të rekrutimit do të përcaktohen në një rregullore të posaçme, miratuar me urdhër të Ministrit të Drejtësisë. Çdo koordinator përgjigjet për punën e tij para ministrit të Drejtësisë. Paga e koordinatorit do të jetë sa paga e funksionit më të lartë në institucionin që drejton, pas titullarit.
Kompetencat e koordinatorëve
Koordinatori ka për të detyrë që të mbledhë informacion për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive të institucionit apo ndërmarrjen shtetërore ku bën pjesë, si dhe kryen hetime administrative. Ai mund të kërkojë një hetim më të thelluar të rastit abuziv. Koordinatori harton raportin përfundimtar të rastit të hetuar, duke e përcjell atë pranë strukturës kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë. Në bazë të raportit që referohet në Ministrinë e Drejtësisë, merret masa ndaj zyrtarit të përfshirë në korrupsion dhe vihet në lëvizje SPAK. Gjithashtu, koordinatori këshillon, udhëzon e ndërgjegjëson nëpunësit dhe qytetarët për identifikimin dhe adresimin e rasteve korruptive, vlerëson rrezikun e korrupsionit në institucionin e administratës shtetërore ku bën pjesë.
Të gjitha institucionet publike ku do shtrihet aksioni anti-korrupsion
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara
Agjencia e Blerjeve të Përqendruara
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore
Agjencia Kombëtare e Bregdetit
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore
Agjencia Kombëtare e Mjedisit
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural
Agjencia Shtetërore e Kadastrës
AlbControlsh
Albpetrol
Autoriteti i Aviacionit Civil
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
Autoriteti Portual Durrës
Autoriteti Rrugor Shqiptar
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Instituti i Sigurimeve Shoqërore
Instituti i Shëndetit Publik
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë
Operatori i Sistemit të Transmetimit
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor
Porti Detar Sarandë
Porti Detar Shëngjin
Porti Detar Vlorë
Posta Shqiptare
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”
Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”
Spitali Universitar i Traumës
Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”
Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”
Spitali Psikiatrik “Ali Mihali”, Vlorë
Spitali Psikiatrik “Sadik Dinci”, Elbasan
Shërbimi Social Shtetëror
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare
Çdo drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës
Drejtoritë rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor
Drejtoritë rajonale të Arsimit Parauniversitar
Spitalet rajonale/shqiptarja.com/m.j