Një automjet është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Juban të Njësisë Guri i Zi në Shkodër.
Teksa lajmi është bërë public për mediat ka dalë gjithashtu edhe një video ku duket se zjarri që ka përfshirë mjetin luksoz tip ‘Porsche Panamera’ ka qenë i qëllimshëm
Pronari I mjetit luksoz ‘Porsche Panamera’, Artan Luka, 33 vjeç, banues në Juban të Gurit të Zi kishte çuar makinën e tij tip ‘Porsche Panamera’ në një servis aty në fshat rreth 200 metër larg banesës. Papritur rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm dyshohet se një person është afruar nga pjesa e përparme e mjetit duke e djegur në mënyrë të qëllimshme. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, disa metra më tutje në momentin që mjeti i biznesmenit Luka merr flakë, duket një mjet tjetër që lëviz dhe që dyshohet se ka marrë autorin që i ka vendosur flakën duke u larguar më pas në drejtim të paditur.
Bëhet me dije gjithashtu se shtetasi Artan Luka është pronar i një bar/restoranti eventesh që ndodhet në fshatin Juban të cilin e ka blerë një vit më parë.
Ndërkohë sa I përketë ngjarjes pronari ka deklaruar në polici se nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe nuk dyshon tek njeri.
“Nuk kam asnjë problem me askend. Nuk kam patur ndonjëherë konflikt ndaj edhe nuk e di përse ma kanë djegur makinën. Nuk kam asnjë lloj dyshimi për shkak se nuk kam patur problem ndaj nuk e di nga ka ardhur. Jam i habitur për këtë që më ka ndodhur por shpresoj që të zbardhet sa më shpejt”, mësohet të ketë thënë 33-vjeçari të cilit iu dogj mjeti.