Nga Ilir Nikolla
2021 na ka dhënë boll mesazhe se punët nuk janë mirë, se gjindja anekënd është futur në borxh me veten, me shoqërinë, me natyrën,.. e sipas bindjes, edhe me Perëndinë. Vigjilja është e mbushur me ndjesinë e sikletshme se s’po dimë të dalim nga qerthulli, se energjitë na mungojnë dhe se zbrazëtinë mjafton të na e mbushin pseudo-festat, pseudo-spektaklet e turli të tjera performancash, publike e private, që në një kohë normale do të bënin të skuqeshin i madh e i vogël.
Në këtë kohë ku cipa ka plasur e ku askush në Perëndim s’mendon për turpin dyvjeçar të shpërndarjes së vaksinave sipas kategorisë së shteteve, e prandaj edhe morëm kundërgoditjen e shfaqjes së variantin Omicron në njërin nga vendet e përjashtuara nga vaksinimi (në Shqipëri dihet fort mirë kjo ndjesi, e cila s’u fashit as me propagandën e vaksinave turko-kineze), mora një leksion-mesazh gati 12 mijë vjeçar.
Në vigjilje të 2022-it, vendosa të vizitoj Muzeun e Parahistorisë në Firence, që është i vendosur vetëm pak hapa pas sheshit të madh të qytetit. Në të gjenden eksponate me repertet më të rëndësishme që rrëfejnë historinë e shfaqjes së jetës në tokë. Aty janë skelete arinjsh parahistorikë, janë dëshmitë e të gjitha racave të hominidëve që janë zbuluar deri më tani, por janë edhe dëshmitë e para të transformimit të njeriut (pas epokës së fundit të akullnajave), nga një nomad që bredh pas ushqimit, në një qenie shoqërore që ndërton një qytetërim sedentar.
Mes qindra dëshmive të muzeut, i cili është ngritur nën patronazhin e Universitetit të Studimeve të Firences, janë edhe repertet që e bëjnë publikun e sotëm të turpërohet. Dëshmi të 12 mijë viteve më parë, janë skeletet e shpellës së Romitos në Kozenca të Kalabrisë, mbetjet e një djaloshi të ri rreth 20 vjeçar, eshtrat familjare të dy brezave femra si dhe kalku Romito 8, një riprodhim i varrit monumental të një gjuetari me gjasë shumë të njohur, së bashku me të gjithë arsenalin e stolive me të cilat është përcjellë.
Për ta rrëfyer me dy fjalë, 12 mijë vjet më parë, njerëzit e kishin të ngulitur respektin për jetën e gjithashtu edhe madhështinë për të përcjellë të dashurit e tyre në botën tjetër. Sa larg nga xhungla që shoqëron historinë korruptive e antinjerëzore të varrezave në Tiranë përshembull. 12 mijë vjet më parë, ishin institucionalizuar edhe varrezat familjare, si tregues të aristokracisë së njeriut, por edhe si dëshmi të qytetit (polisit sedentar) ku familjet çonin jetën. Leksioni i njerëzve të shpellave 12 mijë vjet më parë (historiani i njohur Matew Aref mendon se fjala pellazg në zanafillë ishte shpellazg dhe identifikonte të gjithë njerëzimin që jetonte në basenin e Mesdheut) kulmon me repertin e tretë, atë të gjuetarit, varrosur në mënyrë monumentale. Analizat e kryera vertetojnë se gjuetari kishte pësuar një dëmtim të rëndësishëm në kulmin e moshës, çka praktikisht e kishte shndërruar atë në një paraplegjik. Por dëmtimi i plotë i dhëmbëve dhe prova të tjera flasin se ai ka jetuar edhe pothuajse dy dekada përtej aksidentit, para se të varrosej me të gjitha nderimet, së bashku me të gjithë pasurinë e tij. Pra, njerëzit e shpellave e kishin asistuar gjuetarin edhe për dy dekada të tjera, megjithëse ai ishte shndërruar në paraplegjik, e përveç mendjes së tij, ai s’mund të kontribuonte më tej në rendin e gjuetarëve.
Nga lashtësia e 12 mijë viteve, mund të thuhet se njeriu s’mendon veç se jeta është ciklike, por edhe se nganjëherë mund të ndodhemi në kurbën ku po ecim së prapthi, drejt regresit. Sot të heqin asistencën sociale, nëse s’je me partinë në qeveri, të lënë të bredhësh me virus rrugëve nëse s’mund të paguash dhe për ta bërë regresin e plotë, të heqin spinën, kur bilanci i kontributit tënd është negativ, për shkak se ke zhvilluar njëfarë dizabiliteti.
Muzeu i Parahistorisë është shumë afër qendrës së Firences, duhet vizituar, secili mund të nxjerrë leksionet e veta, të cilat mund t’i mbivendosë përkundër jehonës 12 mijë vjeçare që unë përzgjodha të përcjell në vigjilje të 2022-it.