Banorët e Postribës, pjesë e bashkisë Shkodër kanë zhvilluar një tjetër protestë lidhur me ujin e pijshëm, teksa pretendojnë se u shkon i ndotur dhe për këtë fajësojnë një gurore në fshatin Rrasek. Këtë radhë protesta u zhvendos tek drejtoria e ujësjellës kanalizime në Shkodër.
Administratori, imami i Dragoçit dhe disa banorë të tjerë zhvilluan një takim me drejtorin e ujësjellësit Mark Molla duke marrë premtimit se në pranverë do të bëhet një investim për ndarjen e ujit të përroit me atë të burimit. Përveç kësaj banorët i bëjnë thirrje Ministrisë së Energjitikës që të largojë guroren nga ai vend ose do ti drejtohen SPAK madje theksojnë se do të shkojnë deri në Strasburg.
Një banor i zonës teksa protestonte me një bidon të mbushur me ujë të ndotur, i bëri apel organeve të drejtësisë të veprojnë.
“Jam banor i fshatit, urdhoni ky është uji që ne pijmë sot. Ne jemi këtu që të ndërhyjë prokuroria, nëse nuk reagon do të shkojmë në SPAK, nëse as SPAK nuk na dëgjon do të shkojmë deri në Strasburg. Është fundi, nuk ka më tolerime, nuk durojmë më.”, tha ai.
Drejtori i ujësjellësit në Shkodër Mark Molla tha se është gjetur zgjidhja me banorët me investimin që do të bëhet në muajt e pranverës, duke i dhënë fund problematikës së ujit në këtë zonë.
“Ka një problem, që bashkon ujin e përroit me burimin, por ne do të bëjmë të mundur një zgjidhje teknike optimale që uji burimit të jetë i ndarë nga uji i përroit, u shpreh, Mark Molla Drejtor i Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Shkodër.
Pak ditë më parë banorët e Postribës zhvilluan një tjetër protestë në qendër të njësisë ndërsa tashmë në rast se në pranverën e këtij viti situata me ujin e pijshëm nuk merr një zgjidhje atëherë ata thonë se protestat do të përshkallëzohen.