BallinaKryesoreShqipëria që dhemb.... zgjidhja jemi NE

Shqipëria që dhemb…. zgjidhja jemi NE

Nga Ervina Toptani

Unë nuk kam shkruar kurrë për politikë, madje i jam shmangur asaj gjithnjë. E di mirë rëndësinë e saj në jetën e një shteti, qyteti, grupimi apo dhe një individi të vetëm. Ajo është faktori i parë që një shtet, një vend e varros apo e ngre lart. Ajo, në dorën e individëve të gabuar, shpesh është arsyeja që ne ikim, luftohemi e grindemi me njëri tjetrin, arsyeja që na vjedhin pronën apo na e shkatërrojnë atë, që ne ndjejmë gjithnjë atë peshën e shkëmbit në fund të stomakut kur kuptojmë si i trajton një shtet i huaj qytetarët e tij e si jemi trajtuar ne nga shteti që nuk ditem kurrë ta ndërtojmë për veten e si rrjedhojë për të gjithë bashkë.
Kam lexuar kaq shumë keqardhje, shfrime, dufe të nxjerra, sharje, gjithçka këto 2 ditë e sigurisht të gjitha janë njerëzore e të mirëkuptuara. Por po sikur të mendojmë një çast përtej?
Përtej dhimbjes tonë, përtej talljes, përbuzjes, përtej perdes që duket….. them përtej sepse kjo dhimbje, ky poshtërim, kjo dhunë e përçudnim që s’paska pas të sosur tek ne me 3 milion individë, ka një fillesë, ka një “të mesme” 50 vjeçare e ka dhe një vazhdim, sot, sot e ndoshta nesër e nesër ende, ende….
A bëhemi dot njëherë te gjithë bashkë? Duke nisur me ngujimin më madhështor që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët, 1 milion të ngujuar në sheshin Skenderbej. T’i hapim njëherë zemrat e ta ndjejmë dhimbjen e njeri tjetrit në shpirt. Jo vetem të atij që shteti i kuq i rrafshoi shtëpinë por duke nisur nga nënat e djemve që ua morën nga prehri zvarrë e ua therën, ua burgosen, ua internuan deri dhe foshnjat e palindura. Tek mashtrimi që na u bë kur 3 milion shqiptarë kërkuan liri e demokraci e na mashtruan, na gënjyen për të na çuar përsëri drejt thertores 7 vjet më pas. E ne vramë njëri tjetrin, veriu kundër jugut e anasjelltas. I mblodhi politika në tufë shqiptarët sa herë deshi, për të hequr këtë qeveri e për të sjellë tjetrën, e po shqiptarët u vranë, sa shteti mbi ta e sa vetë njëri tjetrin. Ata “kollarekuqtë” në të gjitha kohërat moderne, gjithnjë fitues po ata. Në djall politika, në djall politikanët, në djall gjithçka që vjen prej tyre sot!
Të ngujohemi derisa të ndjejmë dhimbjen e çdo shqiptari që iu vodh prona, që eshtrat e gjyshërve ua hodhën në lumë, që shtëpia e prona e të parëve që ia rrëmbyen pushtetarët e shqiptarë të tjerë t’i dhembë njëherë dhe fqinjit sikur të ishte e tija. Që familjet në qiell të hapur të na dhembin njësoj si familjet tona, që të rinjtë që ikin me kokën pas të na dhembin si vetja, që fëmijëve të palindur t’u lemë një dritë shprese ndezur se na u fik shpirti sa në dorë të një të huaji për drejtësi e shtet e sa në dorë të një mashtruesi politikan të rradhës. Zgjidhja jemi NE!
Nuk vjen asgjë as nga lindja e as nga perëndimi nëse ne vetë nuk e kërkojmë me shpirt, në emër të dhimbjes, të flijimit të mijërave deri tani, në emër të drejtësisë me të cilën tallen horrat, në emër te vuajtjes së mijërave pa varr, apo vdekur me barkun bosh. Me ne janë tallur të gjithë, perendimorë e lindorë, por më e dhimbshme se çdo tallje e të huajve është përbuzja e dhimbjes së shoshoqit, ne për veten e për tjetrin.
Nëse nuk bëhemi bashkë, në emër të dhimbjes, të ngujohemi në shesh derisa të gjejmë zgjidhje, do të tallen përjetësisht me dhimbjen tonë.
Hapini zemrat, të qajmë me lotët e burrave që shpirti u është djegur, të qajmë në mijëra me lotët e nënave që i shtrojnë fëmijëve plastmas për shtrojë e mbulojë, tē qajmë në 1 milion me lotët e të pafajshmëve që i përbuzin, i rrahin, i shkelin me këmbë. Pa bashkim s’ka Shqipëri, pa bashkim s’ka vëllazëri, pa bashkim s’ka të nesërme të begatë ….
Me shpresën se dikush do të dalë mbi dhimbjen, mbi perëndimin e lindjen, mbi frikën e urinë e të më ftojë mua e mijërat si ne të ngujohemi vëllazërisht në front të parë, me shpirtin si mburojë, me dëshirën e zjarrtë si armë e me lotët e burrave zemërplagë si dëshmi,
Ervina Toptani
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular