Komisioni Europian pritet të rekomandojë të mërkurën çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Progres raporti për të dy vendet kandidate do të prezantohet nga komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.
Një pjesë e raportit që ka rrjedhur në media, tregon se miratimi i Komisionit, shoqërohet me një POR për Shqipërinë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Duke pasur në konsideratë vendosmërinë e Shqipërisë… Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim. Por, Shqipëria duhet të vazhdojë të shënojë hapa të dukshëm në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit… Një konsensus më i fuqishëm kombëtar nevojitet për të bërë prioritet procesin e BE-së.”
Prezantimit i raportit pritet të mbahet nën sfondin e Samitit të Jashtëzakonshëm të vendeve anëtare, të cilat duhet të vendosin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit të BE-së.
Sipas DË -së, raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe ato të cilat janë kyçe për Shqipërinë, si funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës si pika kyçe do të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i drejtë i gjykatave.
Sa i përket çeljes së negociatave për Shqipërinë situata nuk ka ndryshuar me Francën, që mbetet një kundërshtare e vendosur e zgjerimit, e përkrahur nga vende si Holanda dhe Belgjika, por ky qëndrim mund të ndryshojë deri në samitin e ministrave të Jashtëm në qershor.
Më herët është spekuluar se qëndrimi negativ i Francës për zgjerimin ka qenë i lidhur me zgjedhjet për Parlamentin e BE-së dhe ndikimin që një vendim i tillë mund ta ketë në këto zgjedhje.