Policia ka arrestuar pasditen e sotme njeriun e dyshuar për ngjarjen në ‘Vasil Shanto’. Në pranga ka përfunduar Arben Bardhi.
Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë një konflikt pronësie në lidhje me banesën së cilës iu vendos tritoli.
Policia thotë se ky person mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:10, në rrugën ‘Mihal Popa’, dyshohet të ketë vendosur në derën e jashtme të banesës së një shtetasi një sasi lënde plasëse nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Po sipas të njëjtave burime Bardhi e ka lënë kolateral në bankë banesën në fjalë e cila i është sekuestruar pasi nuk e ka shlyer kredinë.
Sipas procedurave, banka e ka nxjerrë apartamentin në shitje, i cili është blerë më pas nga V. S., por autori i dyshuar nuk e njeh këtë akt shitje, duke pasur ende pretendime mbi pronësinë e banesës.
Shpërthimi në katin e dytë të pallatit, shkaktoi panik të banorët ndërsa dëme material u regjistruan edhe në katin e tretë.
Forca shpërthyese e eksplozivit dëmtoi dyert e apartamentit në katin sipër të cilat mbeten të mbyllura.
Dosja i është dërguar Prokurorisë së Tiranës në ngarkim të lartpërmendur për veprën penale ‘Shkatërrim i pronës me eksploziv’.