Në prani të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, liderët e Kosovës kanë inauguruar sot autostradën “Arbën Xhaferi” që shtrihet nga Prishtina deri në kufirin maqedonas.
60 kilometra e gjatë, kjo autostradë i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 600 milionë euro dhe është ndërtuar konsorciumi turko-amerikan ‘Bechtel-Enka’. Ajo njihet edhe për urën më të gjatë në Ballkan.
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se sot është një ditë e veçantë për Kosovën, për shtetin tonë, për shoqërinë tonë, por edhe për tërë rajonin.
“Sot po përurojmë një nga projektet më madhore të shtetit të Kosovës, urën më të gjatë në rajonin tonë. Është një investim i fuqishëm, por që ia ka vlejtur, sepse një Kosovë e lirë dhe e pavarur edhe duhet të zhvillohet. Prandaj, nëse dje kemi ëndërruar që të kemi një Kosovë të tillë, sot e kemi realitet. Nëse dje na është dukur e pamundur që të kryejmë projekte të tilla, sot i kemi realitete. Nëse dje këto përvoja i kemi kaluar në botën perëndimore, sot i kemi në Kosovën e re”, është shprehur Thaçi.
Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, tha se kanë hasur në sfida gjatë rrugëtimit, por nuk janë ndalur, sepse kanë pasur besim, jo vetëm në cilësinë e ekspertizën e operatorëve, por në të gjithë ata parametra të tjerë, që dëshmojnë se është njëra ndër veprat më të bukura të infrastrukturës në Ballkan.
“Janë paratë e taksapaguesve, të qytetarëve të Kosovës dhe ju garantojmë me përgjegjësinë më të madhe, se me respektin më të madh është bërë kujdes, që ky investim të jetë në përputhje me obligimet ligjore që kanë institucionet e vendit, në përputhje me qëllimin e këtij projekti, që sot ta kemi të përfunduar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova po ecën me guxim në infrastrukturë.
Kush ishte Arbën Xhaferi
Ai lindi në vitin 1948 në Tetovë dhe u nda nga jeta në vitin 2012-të në Shkup. Arbën Xhaferi është një prej figurave më të shquara të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Filozof, politikan dhe analist, Xhaferi ia dedikoi jetën e tij kërkesës dhe përpjekjeve për përmirësimin e jetës së shqiptarëve në shtetin fqinj.
Në vitin 1994 ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe në vitin 1998 fitoi shumicën e votave të shqiptarëve.
Arbën Xhaferi luajti një rol të konsiderueshëm në legjitimitetin në arenën ndërkombëtare të luftës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001 dhe që pasoi me Marrëveshjen e Ohrit.