Kur mediat e mëdha në Europë janë mbushur me raportime se Komisioni Europian ka rekomanduar nisjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë, por vende si Franca, Holanda, Danimarka e Belgjika mund të dalin kundër, një deklaratë e fortë mbërriti nga Gjermania.
Grupi më i madh parlamentar, CDU/CSU qartësoi se vendimi për Shqipërinë do të merret në vjeshtë, dhe ndryshe nga sa është spekuluar në median shqiptare, për këtë vendim janë pajtuar edhe socialdemokratët e SPD.
Deklarata e CDU/CSU duket se e rrëzon progres-raportin e Komisionit Europian, kur thotë se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht të vetëm nga ato që i janë lënë.
Mbi të gjitha, CDU/CSU thotë se informacionet për të marrë vendimin e tyre do i marrin jo vetëm nga progres-raporti, por edhe nga burime të tjera.
Interesant është fakti se ndërsa në progres-raport theksohet fakti që reforma në drejtësi është ajo që i jep peshën vendimtare rekomandimit për nisjen e negociatave, gjermanët janë skeptikë. Sipas CDU/CSU, Shqipëria nuk ka një sistem gjyqësor funksional.
Në fund, gjermanët e CDU/CSU bëjnë thirrje për dialog dhe sërish vetëofrohen për negociata, duke thënë se asnjë temë nuk duhet të jetë tabu.
Ndërkohë lëvizje duket se do ketë edhe në Gjermani.
‘Javën e ardhshme në Gjermani pritet të vijnë një sërë politikanësh nga Ballkani Perëndimor, ndër ta edhe kreu i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Vizitat e tyre janë jozyrtare, por nuk përjashtohet mundësia që të flitet për mundësitë e ndihmesës gjermane për kapërcimin e krizës në Shqipëri. Vizita më e rëndësishme javës së ardhshme në lidhje me Ballkanin Perëndimor, pritet të jetë megjithatë ajo me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të enjten paradite do të takohet me kancelaren Angela Merkel,’ shkruan Dojçe Vele.
Raportohet se Basha do të udhëtojë drejt Gjermanisë në 3 qershor, një ditë pas protestës së 2 qershorit.
Këto zhvillime vijnë pas një editoriali të gazetares Adelheid Woelfl, njohëse e mirë e rajonit, e cila shkruante se PD ka lidhje të mira në Gjermani dhe mund t’i përdorë ato për zgjidhjen e krizës.