Detaje të reja dalin në dritë për vdekjen e Eleni Tofaloudit në Rodos. Studentja e re e vrarë brutalisht nga dy të rinjtë ka luftuar shumë për të shpëtuar, por greku dhe shqiptari duket se kishin vendosur ta vrisnin e ta hidhnin më pas në det. Sipas “Star”, studentja fatkeqe thuhet se pati një vdekje të ngadaltë, të dhimbshme dhe torturuese, e cila u bë me mizori dhe trishtim të veçantë.
Kërcënimi se do t’i denonconte ata, e nxiti edhe më tepër zemërimin e të rinjve. Sipas mediave greke, të rinjtë e goditën dhe e kërcënuan studenten me thikë dhe më pas e hodhën nga shkëmbi. Sjellja e tyre kriminale është cilësuar si e pazakontë dhe e paparashikueshme.
Natyrisht, në marrjen në pyetje ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për vete, por fajet ia kalojnë njëri tjetrit. Për të gjitha këto arsye, ndalimi i tyre është bërë në burgun e Grevenas, pas gjashtë muajsh nga dita kur u arrestuan të akuzuar për një nga krimet më të shëmtuara në Greqi.
Në raportet e mëparshme të mediave fqinje thuhej se studentja greke është torturuar nga shqiptari, ndërsa ky i fundit siç raportojnë ata, i ka kërkuar studentes greke të kryejë marrëdhënie seksuale edhe me shokun e tij grek. Ky pretendim është mohuar në mënyrë kategorike nga të rinjtë, të cilët vijojnë të mbahen të mbyllur në lidhje me vrasjen makabre të studentes greke, ndërsa zbardhja e plotë e ngjarjes duket se është ende shumë larg.