Kryetari i Komanduar i PD Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se mbledhja e grupit të PD është informuesi, teksa theksoi se qëndrimi mbi zgjedhjen e presidentit të ri duhet të merret nga të gjithë deputetët.
“Kjo është një mbledhje informuese e kolegëve për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, duke synuar hapjen e debatit brenda grupit parlamentar të PD për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Sot nuk kemi për të marrë asnjë vendim, sepse mbledhja është me natyrë informale për informimin tuaj për ecurinë e deri tanishme dhe shkëmbimin e mendimeve. Me disa prej kolegëve kam diskutuar edhe personalisht dhe i di mendimet e tyre, me intereson që vendimin për procesin ta marrim të gjithë bashkë, në një moment tjetër, pasi të kemi ezauruar fazën e marrjes së mendimit të secilit”.
Alibeaj ka theksuar se ka një tentativë për përçarjen e grupit parlamentar të PD.
“Ka një tentativë për të përçarë edhe Grupin Parlamentar, edhe pse gjate këtij muaji kemi bërë përpjekje serioze për të bashkuar grupin. Nuk e kuptoj dot këtë sjellje dhe është një tjetër akt përçarës. Secili nga anëtarët e këtij grupi kanë bërë përpjekje për të mos lejuar përçarjen e partisë. Refuzoj me forcë çdo të tentativë për ndarjen e partisë, dhe me gjithçka kam në dorë do bëj çmos që kjo mos të ndodh”, tha Alibeaj.