Përpara anëtarëve të Asamblesë, kreu i qeverisë e nisi me një kritikë ndaj kryebashkiakëve të majtë dhe e mbylli me një mesazh të drejtëpërdrejtë për SPAK-un. Fjalimi i tij u pasua nga reagime të të gjithë aktorëve politikë të përmendur, përfshi këtu edhe reagimin e SPAK në adresë të kreut të Qeverisë.

Për kryebashkiakët

“Disa kryetarë bashkish që u zgjodhën kryetarë bashkish në një ndeshje pa kundërshtarë kanë vazhduar të qëndrojnë për inerci në krye të bashkive a thua se kundërshtarët e komunitetit nuk ekzistojnë, a thua se papastëritë nuk ekzistojnë. Po marr papastërtinë se është A-ja, është sfida jonë. Një pjesë e kryetarëve janë krah për krah me ne për të garantuar që Shqipëria të mbyllë këtë kapitull turpi me plehra, një pjesë e kryetarëe të bashkive nuk janë fare të angazhuar në këtë proces dhe kjo është fatkeqësi e madhe. Çfarë do t’i thonë qytetarëve nesër dhe me çfarë syri dhe faqeje do kërkojnë të vijnë te ne dhe të kërkojnë të jenë përsëri kandidatë? Me cilin sy dhe me cilën faqe? Ndërkohë që edhe për plehrat, dhe për mospërgjigjet në platformën e bashkëqeverisjes, edhe për përgjigjet skandaloze, dhe për këshillat e të rinjve, të këtij lloj tipi të kryetarëve të bashkive, kusuret i mbajmë ne. Kusuret i mban qeveria, i mban grupi parlamentar, i mban PS-ja këtu në krye të punëve dhe në ballin e betejës.

Për Presidentin e ri

“Opozita nënkupton përjashtim kategorik non gratën dhe shpurën e tij. PS nuk njeh asnjë akt, propozim e asnjë kërkesë që buron nga ai drejtim, me të cilin politika e PS dhe Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë lidhje. Të hidhen përpjetë, ne nuk njohim asgjë që buron nga ai burim i së keqes së madhe të popullit tonë. Jo për presidentin po as për rojen e cilësdo godinë në këtë vend dhe as një hu gardhi për ta vënë në fund të Lanës. Me shumë keqardhje për të gjithë ata që verbërisht i shkojnë pas asaj shpure dhe i kthejnë kurrizin të ardhmes dhe fëmijëve të tyre, ka kohë që historia është parashkruar në raport me atë të keqe që e shporrëm dhe nuk ka shans të kthehet më”, tha kryeministri.

Për Metën

SPAK në mënyrë të rrufeshme a thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran me atë zotërinë që për pak ditë më në fund do të largohet nga zyra e presidentit. Çështje në hetim, gjë të cilën, pastaj procesi gjyqësor e çmontoi dhe e shfry si një flluskë sapuni. Por nëse ky sahat zviceran do të ishte i pakonkurrueshëm, sa gjykatës dhe prokurorë të nxjerrë kashtë nga vettingu për pasuri marramendëse do të ishin sot më burg. Sepse u bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj vettingu i ka flakur jashtë. Ku janë sot? Ata janë në punë e tyre. Nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. BE ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që do të ulet në tryezë gjëja e parë është se sa gjykatës dhe prokurorë janë marrë në hetim. Zero. Kampioni i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë të DASH është futur në hetim nga SPAK. Për çfarë? Për një denoncim të kujt? Të atij që jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metës.

Për SPAK

Realisht po hyni në kohën shtesë të ndeshjes me të keqen në këtë vend. Deri tani e keqja kualifikohet dhe ju s’kualifikoheni. Kualifikimi i të keqes nuk është çështja se dikush apo disa do tia hedhin pa u lagur. Kualifikimi i të keqes është që e keqja do ta vërë përfund përsëri këtë vend siç e kishte vënë përfund para se të krijoheshit ju SPAK apo përpara se të krijohej gjykata e Krimeve për të Korrupsionin apo përpara se të krijoheshin institucionet e reja të drejtësisë”.

Reagimi i Metës përmes zëdhënësit

“Të gjithë shqiptarët mezi po presin të dinë ÇFARË E MBAN PENG “Dvoranin” e Qeverisë tek Dvorani i “Drejtësisë”?

Të gjithë shqiptarët e dinë se:

  1. Dvorani pengoi me çdo mjet, qëllimisht dhe për llogari vetëm të Ramës, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke falsifikuar, manipuluar e shkelur Kushtetutën dhe ligjet e drejtësisë, vetëm e vetëm për të siguruar pandëshkueshmërinë e Ramës.
  2. Dvorani u provua zyrtarisht se fshehu pasurinë.
  3. Por Vettingu i partisë në mënyrë skandaloze dhe të paligjshme mbylli sytë për këtë fshehje të pasurisë dhe ky është fakt që nuk mbulohet dot kurrë.
  4. Shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit për Dvoranin e partisë-shtet i vërtetoi botërisht edhe Komisioni i Venecias.
  5. Nëse do të ekzistonte vërtet Reforma në Drejtësi, Dvorani do të duhej të ishte i pari përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.

Të gjithë shqiptarët duan të dinë çfarë e detyron Ramën, Kampionin e Korrupsionit që e ktheu Shqipërinë një narkoshtet dhe të dytin në botë për korrupsionin, që të kthehet në Avokatin e Dvoranit?

Është e qartë, se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja.

Rama-Dvorani dhe Dvorani-Rama binomi i pandarë i antishtetit, dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit, falsifikimit të dokumenteve zyrtarë dhe kapjes së shtetit për llogari të partisë.

Koha e “opozitarizmit” të tredhur nga korrupsioni qeveritar po skadon me shpejtësi. Çkapja e shtetit nis nga çkapja e opozitarizmit.

ASGJE NUK DO TA NDALË ZBARDHJEN E SKANDALEVE TË NARKOQEVERISË SADO TË GULÇOJË GRUAJA E BILALIT!”

Reagimi i SPAK për Ramën

Balkanweb kontaktoi me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të mësuar nëse kishte një hetim penal për gjyqtarin Ardian Dvorani.

Spak konfirmoi zyrtarisht se ky institucion nuk ka asnjë çështje penale ndaj zotit Dvorani.

SPAK tha gjithashtu se më herët me kërkesë të tij, Gjykata e Posaçme pushoi një çështje ndaj gjyqtarit Dvorani. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Dvorani u kallëzua penalisht nga Persidenti Ilir Meta dhe mes tyre pati një përplasje të fortë që përfundoi në dyert e gjyqësorit. Pas muajsh të tërë hetime SPAK vendosi ta pushojë kallëzimin e Ilir Metës pasi nuk gjeti element të vepres penale të kryera nga zoti Dvorani gjatë kohës që ai drejtonte KED-në.

Reagimi i Ramës për SPAK

“Meqë ka marrë përsipër të sqarohet SPAKU do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm për një kallëzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit,ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s’ka lëvizur ende gishtin!

Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!”, shkruan Rama.

Reagimi i Berishës

Ne nje ligjerate te denje per bodrumet e mafies, Edi Rama sulmon Spakun e partise per hetimin qe ky organ guxon ti bej famozit Dvorani, i cili gjate vetingut doli se kishte fshehur 82 mije euro dhe jo vetem kaq, por dhe 40 m2 te apartamentit te tij dhe ishte ‘shperblyer’ me 17 mije euro nga Albtelekom per te cilin me pas kishte dhene 9 vendime ne favor te kesaj ndermarrje dhe kunder institucioneve shteterore te vendit.

Pasi degjoi avokatine e Rames ndaj Dvoranit, qytetari dixhital me shkruan se kesaj i thone: hajduti mbron hajdutin dhe se Dvorani, perveç apartamentit te kohes se diktatures, ka edhe nje apartament tjeter tek Treni te cilin nuk dihet e ka te deklaruar apo jo!!