Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka bërë një deklaratë në vijim të krizës që po kalon vendi.
“Do të lutemi në të gjitha kishat që Perëndia i paqes dhe i urtësisë të inkurajojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e detyrës, me të cilën janë ngarkuar, të gjejnë rrugën e pajtimit dhe të mirëkuptimit dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet”, thuhte ne deklaratë
Ja deklarata e plotë Kishës Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë:
Duke e ndjekur me kujdes situatën konfliktuale politike që është krijuar në vendin tonë kemi shpresuar se palët, nëpërmjet një përpjekjeje dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, do të gjenin një zgjidhje, të pranueshme për të gjithë.
Por, me keqardhje po shikojmë se rruga e pajtimit dhe e mirëkuptimit sapo vjen dhe po ngushtohet, duke rrezikuar kështu ashpërsimin e konfliktit, i cili mund të sjellë pasoja shumë të rënda për të tashmen dhe të ardhmen të Shqipërisë .
Prandaj, me shqetësim të madh dhe përulësi, do të lutemi në të gjitha kishat që Perëndia i paqes dhe i urtësisë të inkurajojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e detyrës, me të cilën janë ngarkuar, të gjejnë rrugën e pajtimit dhe të mirëkuptimit dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet, për të mirën e vendit dhe të popullit tonë.
Një ditë më parë nje thirrje te ngjashme ka bërë edhe Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Frendo.
Imzot Fredo gjatë celebrimit të Vizitës së Zojës Mari tek Elizabeta, u ka bërë thirrje besimtarëve që të premten e ardhshme të luten dhe të agjërojnë, për zgjidhje paqësore të situatën kritike politike të krijuar në vend, siç e cilëson ai.
Duke iu drejtuar politikanëve, Imzot Frendo, apeloi që të gjejnë rrugën e duhur për zgjidhjen e kësaj krize, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë ose atë vetjake, dhe duke ndjekur rrugën e dialogut.