Adhurim Kushi është personi që posedon me dokumentacion skafin që drejtonte dje Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje vogëlushen 7-vjeçare.
Mësohet se Kushi është 42 vjeç, banues në Elbasan. Në të kaluarën ai është arrestuar për vjedhje.
Si ndodhi tragjedia?
Tragjedia në Himarë ndodhi një ditë më parë (2 gusht). 7-vjeçarja po lahej në breg, ku skafi me dy motorë e goditi rëndë duke i marrë jetën në vend. Aktualisht drejtuesi i skafit, Arjan Tase është shefi i policimit në komunitet në Elbasan. Ai është shoqëruar në polici ndërsa edhe është përjashtuar nga radhët e policisë.
Në dëshminë e tij, Tase ka thënë se skafi nuk ishte e tij, por ia ka marrë kushëririt të tij për përdorim dhe ka shtuar se skafi kishte defekt, e për pasojë ka marrë gaz menjëherë dhe ka bërë një rrotullim në vend dhe ka goditur vajzën 7-vjeçare për vdekje
Ndërkohë, Tase nuk kishte patentë skafi. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në radhët e policisë. Për ngjarjen e rëndë u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë nga detyra.
Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut.