Një automjet është shkrumbuar gjatë orëve të natës në Bilisht, Korçë.
Policia ka njoftuar se automjeti ishte në pronësi të 27-vjeçares Deizi Arapi, një emër tashmë i njohur për autoritetet, ndërsa mjeti është djegur plotësisht.
Kjo është hera e dytë që 27-vjeçares i djegin makinën, teksa më herët ajo ka përfunduar dhe në pranga, pasi u konfliktua me punonjësit e policisë gjatë shoqërimit në Komisariat pas ankesave të banorëve për prishje të qetësisë publike
27-vjeçarja së bashku me të motrën, Xhesika Arapi u shoqëruan në komisariat më 23 gusht, gjatë natës ndërsa udhëtonin me makinën e tyre dhe bërtasin nëpër qytet. Kur policia mbërriti për t’i shoqëruar, motrat nuk kursyen fjalorin banal ndaj uniformave blu.
Ndërkohë, në vitin 2018-të Deizi Arapit i kanë djegur makinën tip “Smart”. Hetimet në atë kohë bënë me dije se djegia e mjetit mund të ishte bërë për hakmarrje mes vajzave.