FED invest zyrtarizon barazinë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave në komunitetin ku punojnë dhe jetojnë
FED invest i bashkohet rrjetit të organizatave, bizneseve që promovojnë dhe mbështesin fuqishëm Barazinë Gjinore dhe Parimet e Fuqizimit të Grave në komunitetin ku punojnë dhe jetojnë. Gjatë ceremonisë zyrtare të nënshkrimit të WEPs, e cila u zhvillua në Lushnje më 15 tetor 2022, UN Women dhe FED invest theksuan rëndësinë e angazhimit të sektorit privat për të mbështetur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Ceremonia e nënshkrimit të Parimeve të Fuqizimit të Grave me UN WOMEN u zhvillua në ambjentet e Qendrës ABA në Lushnje, pjesë e FED invest dhe u firmos nga Z. Michele Ribotta, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri dhe Z. Perlat Sulaj, Administrator i FED invest.
Kryetarja e Bashkisë Lushnje, zj. Eriselda Sefa, në përshëndetjen e saj theksoi se “partneriteti me aktorët ndërkombëtarë dhe sektorin privat, do të ketë impakt në rritjen e aktivizimit të grave dhe rritjen e kontributit te tyre në jetën ekonomike të vendit”. Z. Michele Ribotta shprehu vlerësimin për FED invest si aktor i rëndësishëm në të gjithë Shqipërinë dhe sidomos në zonat rurale për të përmirësuar jetën e grave dhe vajzave. Në takim morën pjesë zj. Estela Bulku, Drejtore e Programeve të UN Women, zj. Rachele Megna, zj. Yiyi Wang dhe z. Rildo Ngjela (UN Women), zj. Jona Dundo (PNUD).
Në fjalën e saj përshëndetëse, Deputetja e Qarkut Lushnjë, zj. Lindita Buxheli, shprehu vlerësim për punën e bërë ndër vite nga FED invest për përfshirjen dhe fuqizimin e gruas, kryesisht në zonën rurale.
Përveç mbështetjes me kredi dhe shërbime pagesash utilitare, anëtaret e FED invest, pjesëmarrëse në takim, ndër të tjera, theksuan kontributin e Qendrës ABA me shërbime jo-financiare si: ekspertizë, demonstrime në fermë, trajnime, informacione mbi teknologjitë e prodhimit, etj.
Nënshkrimi i Parimeve të Fuqizimit të Grave thekson më së miri vlerat dhe modelin unik të qeverisjes së FED invest-it me një anëtarësi prej 86 mijë, ku rreth 31 mijë e tyre janë anëtare femra dhe 66% e anëtarësisë të shtrirë në zonën rurale dhe 50% të portofolit të kredisë të përqendruar në bujqësi dhe blegtori.