Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi në lidhje me grabitjen e kryer nga një pastruese dhe i biri i saj të cilët arritën të vjedhin shuma të majme parash dhe bizhuteri me vlerë nga banesa e ish-drejtoreshës së koncesioneve, Alda Klosi.
BalkanWeb mëson se në kuadër të çështjes së grabitjes po hetohet origjina e parave të vjedhura në banesën e Klosit nga Seksioni i Posaçëm kundër korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës, me në krye prokuroren Mirela Zavalani.
Banesa në fjalë ndodhet në Rrugën e Kosovarëve, ndërsa mendohet se vjedhja ka ndodhur në datën 15 dhjetor të 2022-shit. Ishte pikërisht Klosi që ka bërë denoncimin në polici më 15 dhjetor, ndërkohë banesa ku është kryer vjedhja ishte marrë nga ajo me qira.
Paratë të cilat u vodhën në banesën e ish-shefes së kabinetit të ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi arrinin në shifra rreth 120 mijë euro, ndërsa në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi dhe djalit të saj janë zbuluar sot mbi 400 mijë euro, që ishin fshehur në tubin e aspirimit.