BallinaKryesorePROFIL/Oana Glasu, rumunia që flet, shkruan, përkthen, mendon, dashuron dhe ëndërron shqip!

PROFIL/Oana Glasu, rumunia që flet, shkruan, përkthen, mendon, dashuron dhe ëndërron shqip!

spot_img
spot_img

Nga Mina HYSA
Në fillim jave së bashku me mikun tim Ahmet Prençin u nisëm drejt Prishtinës, në zemër të shqiptarisë, me një qëllim; për të takuar një mike të përbashkët e cila ndodhet me mision në kryeqytetin e Republikës më të re shqiptare në rajon, Kosovës! Unë të takoja miken time të vjetër, që kisha shumë pa e parë, atë vajzën çapkëne të sjellshme, të dashur dhe të ditur nga Rumania që trokiti në Shqipëri në vitin 1996, ndërsa Ahmeti t’i shprehte mirënjohjen siç di ta bëj mirë, për investimin pa interes të saj për përkthimin e pjesëve të romanit “Anja” në disa revista në Rumani!
Mikesha ime, jo vetëm ka studiuar në vendin tonë, por dhe marrëzisht është dashuruar me shqipen!
Lidhja e saj më Shqipërinë fillimisht ka qenë e “kushtëzuar”, për faktin se studentët rumunë vinin në Tiranë për studiuar për degën që përcaktohej nga Ministria e Jashtme e Rumanisë, por sot kjo lidhje është jo vetëm e çimentuar, por vajza e atyre viteve të vështira të tranzicionit, post-komunizmit, teksa shkeli në Tiranë u dashurua me gjithçka shqiptare! Takimi ynë u duk sikur ishte disa minutësh teksa në tavolinë flitej për gjuhën, letërsinë shqipe apo dhe duke iu kthyer retrospektivës së kujtimeve në Fakultet si dhe marrëdhënies së shkëlqyer që shkrimtarja  nga Rumania sot dhe si përkthyese ekselente e shqipes, njohëse e mirë e autorëve të njohur shqiptarë ku mjaft libra kanë njohur dritën e botimit në rumanisht fal kontributit të saj jopragmatist! E në fund me premtimin që “Anja” së shpejti do të ishte gati për lexuesin në Rumani!  Quhet Oana Glasu. “Shqipëria ime, shqiptarët e mi”- kështu e nis komunikimin sapo hap gojën shkrimtarja dhe përkthyesja e talentuar rumune. Fillimisht kam njohur Mihain, të vëllain e saj, madje që ditën e parë që nisa studimet, u takuam në sallën nr.101 të leksioneve të Fakultetit e disa muaj më vonë dhe Oanën të motrën. Ishte interesante dhe emocionuese, gjysma e familjes Glasu ishte shpërngulur në Tiranë, për të studiuar shqip, për t’u dashuruar me kryeqytetin shqiptar e më pas për t’u lidhur pazgjidhshmërisht me shqiptarët!
Kush është Oana Glasu?
Oana Glasu ka lindur në qytetin Corabia të rrethit Olt, Rumani. Mbaroi shkollën e mesme teorike “A. I. Cuza” në vendlindje. Do të vinte në Tiranë në vitin 1996, për të studiuar në degën Gjuhë-Letërsi, Fakulteti Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës, e përcaktuar si bursë studimi nga Ministria e Jashtme e Rumanisë dhe jo siç ndodh me një shqiptar që mund të shkojë në Rumani dhe ka të drejtë të zgjedh cilin fakultet të dëshirojë. Pas një viti përgatitor për gjuhën shqipe, në vitin 1997 është regjistruar detyrimisht sipas protokollit midis shteteve tek Fakulteti Filologjik për të vazhduar studimet e larta. Degët ishin të ndara; letërsi dhe gjuhë dhe Oana u regjistrua tek gjuhësia. Oana ka vazhduar në vitet 2001-2003 për master në Gjuhësi dhe  për  t’u diplomuar për “Albanologji”. Për mua dhe të gjithë ne që e kishim kolege, kemi kujtimet më të mira për Oanën vajzën çapkëne e cila u shqiptarizua në kohë rekord duke qenë një person shumë i dashur, gjeti tek ne atë strehën vëllazërore dhe shpesh flisnim, rrinim dhe bisedonim në lokalet përreth fakultetit jo vetëm për shkollën, por dhe aktualitetin, veçanërisht në vitin e mbrapsht 1997. Në vitin e trazirave, Oana Glasu qëndroi sypetrite në Tiranë, mes nesh e patrembur. Ajo e dinte shumë mirë që kishte dashurinë, mbrojtjen dhe besën shqiptare! Kishte krijuar besim se shqiptari ka zakon që; miku nuk pritet në besë ndaj dhe as ndjeu më të voglën lëkundje për të dekurajuar dhe ndërprerë studimet. Të gjithë ne, nga unë i pari, secili që e ka njohur ka fjalët dhe kujtimet më të mira në vitet studentore për Oana Glasu. Bashkë sa kemi mundur kemi ndarë të mirën dhe të keqen pa asnjë lloj diference! Për Oanën, shtëpia është aty ku ndodhet zemra dhe zemrën duket se e ka të ndarë në dy pjesë mes Rumanisë dhe Shqipërisë e pse jo më shumë për vendin tonë, pasi ditët më të bukura të rinisë, të jetës i kaloi me shqiptarët dhe gjuhën e ëmbël shqipe.

“Dashuria ime me Shqipërinë ka filluar me gjuhën dhe njerëzit, apo anasjelltas. Duke u dashuruar me njerëzit, me traditat, me gjuhën e tyre, dashurova vendin para se ta njoh, dmth të shoh më shumë se  Tiranën. Pastaj kur arrita ta bredh, nga Konispoli deri në Vermosh, dashuria ime për Shqipërinë u bë aq e madhe, sa e ndjej Atdheun e dytë. As sot nuk mund ta ndaj dashurinë, nuk zgjedh dot midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Me merret fryma nga malli për Shqipërinë dhe shqiptarët e mi. Por më kalon nëpërmjet shqipes që e përdor përditë në përkthim, në të folur, në të menduar” – thotë Oana Glasu.
Edhe pas mbarimit të studimeve dhe largimit nga Shqipëria, Oana nuk mund të merrte frymë pa shqipen! Ajo do t’i përkushtonte pasionin e saj përkthimit nga shqipja në rumanisht duke promovuar kështu kulturën dhe letërsinë e Shqipërisë në vendlindjen dhe shtetin e saj! Për këtë ka një meritë të jashtëzakonshme dhe meriton falenderimet jo vetëm të autorëve, por të çdo shqiptari
“Oana flet për shqipen si gjuhë e zemrës, është koha që shqiptarët të njohin sa më shumë shërbimet që vijnë nga përkthimet e Oanës, sinqerisht, krejt pa interes nga ana e saj, dhe për turp të institucioneve tona. Ministria e Kulturës së Shqipërisë duhet ta kontaktojë Oana Glasu si një aset të vyer, duhet të marrë në mbrojtje si një monument për rëndësinë që ajo ka për gjuhën shqipe dhe të vlerësojë si duhet atë! Në Shqipëri nga ky institucion financohen dhe mbështeten lloj-lloj projektesh krejt pa interes ndërkohë që nuk njihen dhe vlerësohen kontribute të tilla të shkëlqyera!”- thotë gazetari Ilir Nikolla por dhe një njohës i mirë i kontributit të Oanës. E vërteta është që Oana nuk ka qenë aspak pragmatiste në atë çfarë ka bërë. “Përkthej, se nuk mund të rri pa shqipen, pa hy në kontakt me këtë gjuhë zemre. Pa thelluar gjuhën dhe kjo bëhet nëpërmjet leximit.  Pastaj duke lexuar, disa perla letrare në shqip ndjej nevojën t’i ndaj me lexuesin rumunët sepse vlerësojë që meriton të njihet krijimi i njërit apo tjetrit autor shqiptar. Jo vetëm se më pëlqen mua, por unë nuhas, vlerësoj vlerën e tij universale, ndaj dua ta bëj të njohur përmes gjuhës sime amëtare” – thotë Oana Glasu.
Dashuria për gjithçka shqipe e Oanës!
Ndihet aq shumë e lidhur më shqipen, shqiptarët dhe Shqipërinë saqë Oana të thotë se: -“Flas, shkruaj shqip, mendoj shqip, përkthej nga shqipja dhe në shqip, ndjej shqip, shoh ëndrra në shqip dhe mbi të gjitha, dashuroj shqip! S’di ndryshe! Dhe dashuria ime është ndryshe. E veçantë, sepse disa fjalë përkatëse këtij sentimenti, ca ndjenja, vetëm shqip shprehen, vetem shqip jetohen. Për shembull mall kemi vetëm ne dhe ju. Si fjalë apo ndjenjë. Por shqipja ka diçka më tepër. Ka edhe ç’mall. Dhe këtë nuk mund ta jetoj veçse shqip. Dhe nuk mund ta shpjegoj në gjuhën time. Jo vetëm me letërsinë jam marrë, por fillimisht u mora me gjuhën. Shkruaja studime për krahasime midis të dy gjuhëve, apo për burrneshat, për vllehët e Shqipërisë”. Shkrimtarja dhe përkthyesja rumune të thotë dhe se pas mbarimit të studimeve në Shqipëri dhe punësimit në Rumani nisi të zbulojë shkrimtarët shqiptarë nga fragmentet që publikonin në facebook dhe iua kërkonte vet librat duke arritur në bashkëpunime të ndryshme. “Gjithmonë bashkëpunim me ata shkrimtarë që më tërhoqen dhe jo se ma kërkuan vetë”- thotë Oana! Nuk mund të mos jetë çdo ditë e rrethuar nga pluhuri e aroma trallitëse e librave. E megjithatë, Oana është e angazhuar shumë edhe me përkthimin e tyre, nga shqipja në rumanisht. Sikundër mund të kuptohet, gjuha jonë, kjo degë e veçantë e familjes indo-europiane, është një bashkëshoqëruese besnike e saj. Në profilin e saj social në Facebook të Oanës dallohen lehtësisht gjurmë dhe simbole shqiptare.
“Jam e mbytur me kujtime dhe me vështirësi mund të veçoj ndonjë. Bazohen në realitetin që përjetova duke shkelur e marrë frymë në tokën shqiptare, duke u përpëlitur bashkë me shqiptarët, në gëzime ose në vuajtje.  I kam akoma të gjalla. Lidhen me njerëz, shokë apo miq të ngushtë, rrugë e rrugica, ambiente, shtëpi dhe zakone, që më janë futur në gjak dhe i zbatoj dhe sot në shtëpinë time. Madje, lejomëni t’ju them se kur më merr malli për Shqipërinë, tregoj, flas në detaje dhe në fund, gjithmonë them: nuk mund të vazhdoj sepse më erdhi tashmë në hundë era e saj. Një erë që nuk më mërzit kurrë, por as nuk dua të qaj kur e kujtoj”– shprehet Oana, e kapluar nga emocionet, ndonëse tërësisht e kthjellët për t’u rikthyer në të tashmen. Ajo ndalet edhe tek dallimet dhe të përbashkëtat që ka vendi ynë me Rumaninë. Me shumë gjasa, për shkak të misionit që ka përkthimi në vetvete.
“Nëpërmjet përkthimit, shkrimtari kalon kufirin dhe jo vetëm atë fizik, ndarës të shteteve, por sidomos të ideve, të mendimit me të cilin një lexues i huaj shkrihet. Unë do të mbetem një njeri, një femër e dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ata që më njohin (nuk janë pak) e dinë këtë gjë, por mbetem një e huaj. Dhe, për këtë arsye, ajo cfarë më ngelet të them është se shteti shqiptar dhe miqtë e mi do të dinë të zgjedhin rrugën e duhur për një të ardhme ashtu siç e meritojnë. Shtetet tona janë më të vjetrat në këtë Europë. Sot duhet të hyjnë popujt si në familje, duke trokitur nëpër dyer, me të mirat dhe të këqijat e gjithsecilit…”- shprehet Oana, duke treguar padyshim maturi. “Kam dashuri të madhe për shqiptarët dhe do të tregohem subjektive po t’i përshkruaj. Megjithatë, s’mund t’i cilësoj veçse si njerëz të mrekullueshëm. Fundja, më kanë respektuar, mbrojtur”. Oana e ka fituar prej vitesh aftësinë për të menduar në shqip, në kuptimin e përqendrimit, zgjedhjes së fjalëve dhe caktimin e kohëve të foljes. E dëshmon edhe përmes poezive të saj, të cilat nuk ngurron t’i ndajë me miqtë shqiptarë. Ku i lexohet qartazi shpirti.
Kontributi i Oanës për letërsinë shqipe
Sot Oana ndodhet në Kosovë me mision, por duke filluar me vitin 2005 ka punuan në Bibliotekën e qytetit Slatina në Rumani. Në këtë qytet edhe banon bashkë me familjen. Është e martuar dhe ka një djalë. Ndër vite është marrë me studime në fushën e gjuhësisë, duke botuar artikuj të ndryshëm në revista kulturore rumune. Pos kësaj kujdesej edhe për përkthime nga gjuha shqipe në rumanisht e poetëve të ndryshëm shqiptarë, të cilët i botoi nëpër revista letrare rumune. Përmendim poetë si: Rexhep Shehu, Besnik Mustafaj, Petrit Nika, Petrit Ruka, Zhaneta Barxhaj,  Bardyl Londo, Artan Gjyzel Hasani, Agron Tufa etj. Gjithashtu ka përkthyer dhe publikuar fragmente romani apo prozë të shkurtër nga shkrimtarët: Ramiz Gjini, Avdulla Kënaçi, Liridon Mulaj, Mira Meksi, Thanas Medi, Besnik Mustafaj, Agron Tufa, Odise Kote, Ervin Nexha, Ahmet Prençi etj. Në të njëjtën kohë ka përkthyer dhe publikuar në revista letrare apo gazeta të Tiranës kronika rreth romanëve apo poezive të autorëve shqiptarë: Mimoza Hysa, Thanas Medi, Mira Meksi, Liridon Mulaj, Rexhep Shahu, Avdulla Kënaçi, Zija Çela etj.
Po ashtu, ka përkthyer dhe publikuar në revista letrare të Tiranës poetë rumun si: Mihail Soare, Vianu Muresan, Otilia Teposu, apo fragmente romani të shkrimtarëve: Catia Maxim, Cornel Samara, Steliana Bajdechi etj. Ka përkthyer gjithashtu romanet „Fjala e fundit e Sokrat Bubës”(2020) dhe „Markela” (Valsi i një dasme fantazmë)(2022) të autorit shqiptar Thanas Medi, të publikuara tek Shtëpia Botuese EIKON – Bukuresht dhe „Bijat e gjeneralit”(2022) e Mimozës Hysa tek Shtëpia Botuese Hoffman.
Në 2022 ka dalë në gjuhën shqipe libri i tregimeve i shkrimtares rumune Otilia Teposu „Vajza e pyllit. Njerëzit, dashuria dhe përrallat”, në Shtëpinë Botuese „Klubi i poezisë” – Tiranë.  Në publikim për vitin 2023  –  romani „Hija e mallkuar” i Thanas Medit dhe “Anja” të Ahmet Prençit.
   

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular