Nga Red Varaku
Rezultati katastrofik i Sali Berishës në zgjedhjet e 14 majit ku populli shqiptar hodhi poshtē me qartësi në të gjitha bashkitë e vendit ofertën e tij politike, është një provë e qartë që ai dhe projekti i tij politik janë një dështim në të gjitha kuptimet.
Refuzimi masiv dhe kategorik që qytetarët i bënë atij dhe ofertës së tij përkundër pritshmërive me të cilat lëvizja e tij ju servir qytetarëve prej dy vjetësh dëshmon që e gjithë lëvizja për rikthimin e tij ka qenë një flluskë mediatike që kërkonte ta shiste rikthimin e tij si nevojë të brendshme e PD.
Kështu është e qartë që ky dështim provon që lëvizja që ai nisi nuk ka qenë një proces organik i natyrshëm, por ka qenë një ndërhyrje mekanike, një komplot , një grusht shteti kundër PD e realizuar qartazi me ndihmën e oligarkisë politike, oligarkisë ekonomike dhe grupeve të krimit të organizuar sigurisht jo për interesat e demokratëve apo qytetarëve, por për interesa qartazi personale.
Ky refuzim vërtetoi se i gjithë aktiviteti i foltores dhe gjoja proceset politike që ajo ndërmori në fakt kanë qenë thjesht vetëm një shfaqje mediatike, ku pjesëmarrësit nuk ishin tjetër vetëm se figurantë të paguar, ndërsa manipulimi me proceset e njeanshme me zgjedhjen e kryetareve te degeve, zgjedhjet ne forumin rinor apo primaret e famshme kanë qenë thjesht procese farzë.
Përjashto demokratët e sinqertë dhe idealistë që i kanë besuar, por që sinqeriteti i këtyre u keqpërdor pabesisht kundër vetë PD, për të marrë më pas dështimin më të madh të opozitës në këto 32 vjet, pjesa tjetër u bë pjesë e lëvizjes së tij për interesa tërësisht jopolitike .
Është e qartë që strategjia e ndjekur nga foltorja është fund e krye një përpjekje për trushpëlarjen dhe mashtrimin e demokratëve ku kurthi i zgjedhjeve të 6 marsit, si dhe vendimi skandaloz i Zhukrit përbëjnë momentet më kulminante dhe më të shëmtuara të kësaj strategjie.
Por, 14 maji rrëzoi të gjitha perdet dhe demokratët panë me sytë e tyre të vërtetën që kjo lëvizje përfaqëson .
Pas 14 majit të gjithë e kanë të qartë fuqinë reale të foltores, e cila i humbi të 61 bashkitë, përfshi këtu kalanë e pamposhtur të së djathtës Shkodrën.
Pas 14 majit të gjithë e kanë të qartë që Berisha nuk do të fitojë kurrë kundër Ramës edhe sikur dhjetë jetë të tjera të ketë.
Pas 14 majit të gjithë e kanë të qartë që pa mbështetjen e SHBA-ve nuk mund të ketë kurrë rrotacion politik në Shqipëri.
Kjo është kështu dhe 14 maji e vulosi këtë.
Është koha që ata që deri tani e kanë mbështetur foltoren dhe Sali Berishën të distancohen menjëherë prej tij dhe t’i kërkojnë falje demokratëve që u bënë pa vetëdije pjesë e një strategjie manipulimi të vullnetit të tyre, pjesë e një farze politike të sponsorizuar qartazi nga korrupsioni dhe antiamerikanizmi.
Sepse, nëse pas të vërtetës që zbuloi 14 maji, ata do të vazhdojnë të mbështesin autorët e grushtit të shtetit që po tenton të mbajë peng opozitën për llogari të armiqve të kombit shqiptar, nuk ka dhe nuk do ketë më falje për ta.
Kjo sepse nëse vazhdojnë kjo do të thotë që janë me vetëdije pjesë e skenarit për shkatërrimin e opozitës që dirigjohet nga vetë Rama, skenar që nisi me Mcgonical dhe po vazhdon me Berishën.