Sot po sjellim nje tjeter cikel me poezi te Tomor Kotares nga libri “Stuhi Yjesh”.
Nga Tomor Kotarja
BIRIT TIM BOSLEJXH
Mirëmëngjesi biri im!
Ti, që më dhe privilegjin të bëhem baba
Jetë që more jetë nga gjaku im
Për ty jam e do të jem më e forta kala.
Mirmëngjesi biri im!
Ti, dashuria e një lloji të rrallë
Shtatlartë si malet e vendit tim
Rruga t`u bëftë dritë, e fatin paç në ballë!
Ti po rritesh, e unë më duket se po plakem
Kam filluar të flas njëlloj si gjyshi yt
Po kam kaq shumë dashuri brenda meje biri im
Sa më duket pak, të të them se të dua si sytë.
Roje kam bërë këtë natë, si vite më parë
Kur ardhjen tënde, e prisja me ankth e padurim
Nuk turpërohem nëse të them, se edhe kam lotuar
E lotët m`janë përzjerë me t`qarën tënde biri im!
Kjo ditë e sotme, më bëri llafazan
Zgjohu! Se dua të të marr në krahë e të uroj i pari.
Gëzuar ditëlindjen biri im!
Edhe 100 vite të lumtur, o gjaku i gjakut tim!
JETË E PERËNDI
Perëndive, Qiejve
Detet e tokës,
Në gjirin e tyre
Mbartin të fshehta
Herë si shpëtim
E herë si tërbim
Pasqyra në pemën e tharë
Strukur në shpellë.
Mbi dallgë Perëndia,
Shfaqet si pulëbardhë
Shekuj të tërë
Lumenjë e kalvarë
Dhimbjesh e dashurishë
Fitoresh e humbjesh,
Jeta film
Ne, kalimtarë…
Perënditë jetojnë
Ndriçojnë si fanarë
Ferri,
Përvëluar në zjarr!
Krasitet njerëzimi
Afërdita “Dashuri “, venitet
Si unë,
Si ti,
Si ne të dy.
Perëndia,
“Vritet”!
RIVIERËS SIME
Riviera ime e bukur
Plot nure e plot hire
Bregdet i mrekullive,
Magji e xhevahire.
E lashtë mbetesh
E pathyeshme mbetesh
Në kohë baladash
Legjendash e rrëmetesh.
Se ti, e bukura ime
Magjeps me shkëlqim
Rreze shprese, për sot e nesër
Krahët i zgjas drejt qiellit tim.
Stolisu nuse riviera ime
O bukuri shqiptare!
Në strehën dhe zemrën tënde,
Pushoj moj bujare.
OLIMPI IM
Olimpi i lashtë
Shtëpi e perëndisë
Në zemër të malit
Në gur të strallit
Nektar i jetës
Orfe i dashurisë.
E dini,
Ku ndodhet Olimpi?
E ku tjetër,
Në Kalis!
KAFJA!
Kur kafen e mëngjesit
Me shokë e miq shijon,
Helios Perëndia
N`filxhan rrezaton
I ndryshon ngjyra
Zë bëhet ylber
Kafja me miq e shokë
Mjaltë e sheqer
Harron halle e derte
Të botës portokalle
Filxhani bëhet det
Fjalosesh, shuan malle…
UNË JAM
Unë jam fjalë
Unë jam rrënjë
Unë jam degë që s`thyhem në shteg!
Unë jam lis
Unë jam mal
Unë jam eshkë që më ndez strallë!
Unë jam Dardan
Jam Iliri!
Që jetën fal për Shqipëri!
Unë jam zjarr
Unë jam tërmet
Shqipe jam, s`më duhet mbret!
Princ ishte Genti
Princeshë Teuta
Hero Skënderi
Unë jam lahuta.
Unë jam gjak
E jam shkabë!
E mbi vatan, s`duroj Sulltan!
RRNON KUR VDES SHQIPTARIA
Bjeshkët e namuna
Kërcasin si rrufe
Lisat me rrënjë
Shkulmojnë dallgë qëndrese
Në shekuj Ilirët
Gjakun rrëke
Shqiptaria është
E vetmja fe!
Legjendë bajlozash
Gjakpirësish të pafe
Deshën ta nënshtronin
Të bukurin Atdhe.
Toka me gjak
Filizat vaditi
Që nga Skenderbeu
Gjergj Araniti.
E sot,
Në shekujt modern
Sillet e pështillet
I njëjti hall.
Copash sërish Atdheu im
Shërim, do gjejë vallë…?!
Triadat e lashta
Me kodin e nderit
Jemi e do jemi
Stërnipat e Skënderit.
Kalatë e Bedenat do ngrihen përsëri
Shkjau e djalli
Të digjen për së gjalli.
Rrnon!
Edhe kur vdes
Në jetë të jetëve,
Shqiptari!
MJERIM NË UDHËKRYQ
Pa një shpresë
Pa një ide
Pa një besë
Pa një fe.
Fantazma Migjeniane
Lumenj mbushur me halle
Melodi e të pafatit
Si lutje e senatit
Bashkë me të u shua
Klarineta e Halit Beratit
Në spirancën e mjerimit
Betimi i Kostandinit
N`platformën e harrimit
Parajsat e premtuara
Ne ferr janë përvëluar
O Njerëz të mirë
Dilni zot vendit
Ferra uratën mori
Bashkë me fjalën mëshirë!
GALERI KAMELEONËSH
Kamelonë në rrugë
Kameleonë në punë
Kamelonë në politikë
Kameleonë në dashuri
Kameleonë në Histori!
Kameleonë në besë
Kamelonë në fjalë
Kameleonë të vdekur
Kameleonë të gjallë.
Kameleonë në interesa
Kamelone vetë jeta
Kameleon i dashuruar
E drejta,
Mision i pamundur
Dukuri e munguar!
ÇMENDURI NJERËZORE
Çmenduria ka arritur kulmin!
Lakmia pushton vlerat
Merr kontrollin e mendjes njerëzore.
Dashuria ka humbur formatin e saj
Leksione pa kuptim nëpër foltore.
Sa fallso komunikohet ,
Sa shumë për besnikëri flasin
Në emër të zotit përbetohen
Në tryezë me djallin, për të ngrënë shtrohen!
Ku vajti shija dhe nektari i jetës
Pse njerëzit çdo ditë i tremben të vërtetës
Pse maskojnë moralin xhepave t`kuletës?
Pse është venitur shpresa dhe besimi
Pse u thye rrugës, copë u bë premtimi
Pse dielli nuk ngroh si më parë
Pse djali babain, e quan të marrë?
Ç`MBETET NGA UNË!
Ç’jemi në k`të botë
Frymorë kalimtarë
Ç`quhet pasuri
Vlerë e thesar?
Ajo që lemë pas
Rron për shumë kohë
Një shekull shumica
Tek – tuk pes a gjashtë
Vjen shpejt ajo dita
Shndërrohemi në kashtë
Kërkojmë arsyen
Kërkojmë fajtorin
Përse mbetëm jashtë
Kur themi e gjetëm
Më keq humbasim
Si gjilpërë në kashtë
Frymori pa frymë
Nga bota do të ikë
Drita që la ndezur
Do fiket një ditë
Ç’mbeti pas nga unë
Veç hirit, tjetër s`di
Ky trup bërë pluhur
Zor se bën magji.
Në raftet e kohës
Pa histori!
NË FIJE TË PERIT
Me forcën e mendjes
Rrugëtoj çdo ditë
Me gishta numëroj sukseset
Me thinjat vështirësitë.
Ëndrrat e mia
Në kohë fluturonin
Kapur dorë për dore
N`fije t`perit shkonin.
Ndoshta nuk do mbetet
Nga unë asnjë rresht
Ndoshta n`flak`t e ferrit
Për s`gjalli digjem thjesht.
Thesaret e mi
Ndoshta s`do kenë vlerë
Sonte janë me mua
Nesër me të tjerë.
Ndoshta do kalojmë
Në amshim njëherit
Gjilpërash majëmprehta
Në fije të perit.