Vendet nga Mesdheu, Lindja e Mesme dhe Afrika ranë dakord të dielën për një sërë hapash që synojnë ngadalësimin e migrimit të paautorizuar dhe për të punuar për të lehtësuar disa nga shkaqet që i detyrojnë njerëzit të lënë vendet e tyre dhe të përpiqen të shkojnë në Evropë.
Përfundimet e arritura në një konferencë ndërkombëtare njëditore të organizuar nga Italia, tregojnë një angazhim për të goditur trafikimin e qenieve njerëzore, por edhe për të përmirësuar bashkëpunimin midis vendeve evropiane dhe afrikane në fusha të tilla si energjia e ripërtëritshme.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se flukset e paligjshme të emigrantëve po dëmtojnë të gjitha vendet e Mesdheut dhe bëri thirrje për një aleancë të gjerë vendesh për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.
Duke zbutur retorikën e vijës së ashpër që ka shprehur në të kaluarën, zonja Meloni tha në konferencën e mbajtur në Romë se qeveria e saj është e hapur të pranojë më shumë njerëz përmes rrugëve ligjore pasi “Evropa dhe Italia kanë nevojë për imigracionin”.
Por ajo tha se duhet bërë më shumë për të parandaluar migrantët që rrezikojnë duke u përpjekur të përshkojnë Mesdheun me mjete të paautorizuara.
“Emigracioni masiv i paligjshëm dëmton secilin prej nesh. Askush nuk përfiton, përveç grupeve kriminale që pasurohen me shpenzimet e atyre që janë në pozitën më të dobët dhe përdorin forcën edhe kundër qeverive,” tha ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i bëri jehonë arsyetimit të kryeministres italiane për vënien në dispozicion të rrugëve ligjore për në Bashkimin Evropian me 27 vende anëtare.
BE-ja dhe Tunizia, një pikë kryesore nisjeje për emigrantët, nënshkruan javën e kaluar një marrëveshje “partneriteti strategjik” që përfshin goditjen e trafikantëve të qenieve njerëzore dhe shtrëngimin e kufijve. Evropa ka premtuar 1 miliard euro ndihmë për të ndihmuar Tunizinë, 100 milionë prej të cilave të destinuara posaçërisht për trajtimin e migracionit të paligjshëm.
“Ne duam që marrëveshja jonë me Tunizinë të shërbejë si model. Një plan për të ardhmen. Për partneritetet me vendet e tjera në rajon,” tha zonja von der Leyen në konferencë. BE-ja mund të punojë me vende si Tunizia për të zgjeruar prodhimin e tyre të energjisë së ripërtëritshme në dobi të të gjithëve”, shtoi ajo.
Mohamed al-Menfi, kreu i Këshillit Presidencial të Libisë, bëri thirrje për ndihmë nga vendet më të pasura. “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në mënyrë efektive për të ndalur vuajtjet e emigrantëve,” tha ai.
Italia ka kohë që përpiqet të përballet me numrin e emigrantëve të paautorizuar që mbërrijnë në qendra si ishulli i saj më jugor, Lampedusa.
Megjithatë, ajo ka gjithashtu një popullsi të plakur dhe në rënie dhe ka nevojë për krah pune për të mbështetur ekonominë e saj.
Në fillim të këtij muaji, Italia u zotua të lëshojë 452,000 viza të reja pune për shtetasit jashtë BE-së nga viti 2023 deri në 2025, duke rritur numrin e lejeve vjetore deri në 165,000 në vitin 2025. Në vitin 2019, përpara COVID-it, Italia lëshoi vetëm 30,850 viza të tilla./VOA