Basha: Kriza lindi nga bashkëpunimi me krimin i PS nën drejtimin e Edi Ramës. Me këta njerëz nuk mund të diskutohet, negociohet apo arrihet marrëveshje politike.
Kriza ku jemi nuk është krizë që ka lindur nga shkaqe dhe procese politike. Ajo është krizë që ka lindur nga shkaqe kriminale dhe nga procesi kriminal i bashkëpunimit të qeverisë dhe Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës me krimin e organizuar.
Për këtë arsye zgjidhja e krizës politike kalon nga çmontimi I mekanizmit të bashkëpunimit të strukturuar krim-politikë.
Politikisht ajo që duhet të ndodhë, ajo që do të kishte ndodhur në çdo vend tjetër të rajonit e jo më të Europës, është dorëheqja e Edi Ramës dhe largimi i të gjithë këtyre njerëzve nga cdo post shtetëror që mbajnë.
Politikisht këta njerëz nuk mund dhe nuk duhet të jenë pjesë e asnjë procesi. Me këta njerëz nuk mund të diskutohet, negociohet apo arrihet marrëveshje politike.
Ata tashmë janë subjekt i drejtësisë dhe jo politikës.
Të gjithë ata që janë përfshirë në bashkëpunimin kriminal midis krimit dhe politikës, pa asnjë përjashtim duhet të dalin para drejtësisë.
Drejtësia duhet të hetojë dhe dënojë jo vetëm aktivitetin kriminal të bashkëpunimit për të vjedhur votat por edhe çdo lloj bashkëpunimi midis qeverisë dhe figurave të krimit.
Me këtë ekip krim-politik të lirë dhë të paprekur dhe me këtë Kryeministër në detyrë, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira.
Këto kushte janë tashmë përtej vullnetit tim dhe vullnetit të drejtuesve të opozitës: ato janë kërkesë e shqiptarëve.